Lifestyle

Shot of a young businessman experiencing stress during a late night at work

Studimi: Fshehja e emocioneve në punë lidhet me rritjen e konsumit të alkoolit pas orarit

Një studim i ri i publikuar në Journal of Occupational Health Psychology sugjeron se punonjësit që detyrohen të fshehin emocionet e tyre të vërteta gjatë orarit të punës kanë më shumë gjasa të konsumojnë alkool në sasi të mëdha pas përfundimit të ditës së punës.

Kërkimi, i udhëhequr nga psikologia Alicia Grandey dhe ekipi i saj, analizoi të dhënat e 1,592 punonjësve në Shtetet e Bashkuara. Studiuesit u përqendruan te fenomeni i njohur si “surface acting”, i cili përshkruan situatat kur punonjësit duhet të shfaqin emocione pozitive, si buzëqeshja apo mirësjellja, edhe kur në realitet ndihen të stresuar, të lodhur ose të pakënaqur.

Sipas rezultateve, përpjekja e vazhdueshme për të kontrolluar dhe fshehur emocionet konsumon energjinë psikologjike dhe dobëson vetëkontrollin. Kjo mund të ndikojë në sjelljet e individëve pas punës, duke i bërë ata më të prirur ndaj konsumit të tepruar të alkoolit.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se efekti nuk është i njëjtë për të gjithë. Ai rezultoi më i ulët te personat që gëzojnë më shumë autonomi në vendin e punës, kanë më pak prirje impulsive ose e konsiderojnë punën e tyre të rëndësishme dhe me ndikim pozitiv në shoqëri.

Gjetjet kanë hapur debat mbi kulturën e disa kompanive që kërkojnë nga stafi të ruajë vazhdimisht një imazh pozitiv dhe të gëzuar. Ekspertët nënvizojnë se mirëqenia emocionale e punonjësve duhet të jetë prioritet, pasi presioni për të fshehur ndjenjat reale mund të ketë pasoja afatgjata për shëndetin mendor dhe jetën personale.