ShowBiz

Sinan Vllasaliu pëson aksident të rëndë, mungon në dasmën e Dua Lipës – vajza: Babi po rikuperohet

Këngëtari i njohur shqiptar, Sinan Vllasaliu, ka pësuar një aksident të rëndë dhe aktualisht ndodhet në proces rikuperimi pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që iu desh t’i nënshtrohej si pasojë e lëndimeve të marra.

Lajmi është bërë publik nga vajza e tij përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ka falënderuar ekipet mjekësore që u kujdesën për artistin në momentet e vështira pas aksidentit.

“Me zemër plot mirënjohje, dua të shpreh falënderimin tim më të sinqertë për gjithë stafin mjekësor të Emergjencës së Gjilanit, Emergjencës së Prishtinës dhe Royal Hospital. Në momentet më të vështira, përkujdesja, fjala e mirë dhe puna juaj na dhanë forcë dhe shpresë”, ka shkruar ajo.

Sipas familjarëve, Vllasaliu ka pësuar lëndime serioze, përfshirë edhe në këmbë, ndërsa gjendja e tij tashmë është stabile dhe ai po vazhdon rikuperimin nën mbikëqyrjen e mjekëve.

Në të njëjtin reagim është zbuluar edhe arsyeja pse këngëtari nuk arriti të marrë pjesë në një ngjarje të rëndësishme familjare. Ai ishte i ftuar të performonte në dasmën e këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, por aksidenti e pamundësoi praninë e tij.

“Babi im, i cili me shumë dashuri për muzikën ishte i ftuar të këndonte edhe në dasmën e Dua Lipës, fatkeqësisht nuk mundi të ishte prezent për shkak të këtij aksidenti”, thuhet në postimin e familjes.

Pavarësisht situatës së vështirë, familjarët kanë bërë të ditur se këngëtari po rikuperohet dhe kanë shprehur optimizëm për kthimin e tij sa më të shpejtë në aktivitetet muzikore.

Burimi;https://www.instagram.com/sinanvllasaliu/

Foto; https://www.instagram.com/sinanvllasaliu/