Dasma luksoze e Dua Lipës dhe Callum Turner në Palermo ka shkaktuar polemika të forta në qytetin italian, ku banorë dhe aktivistë kanë protestuar kundër mbylljes së hapësirave publike dhe kufizimeve të vendosura për shkak të festimeve.
Teksa Palermo po përgatitet të presë një nga ngjarjet më të komentuara të vitit, në qendrën historike të qytetit janë shfaqur pankarta dhe postera proteste me mesazhe si “Palermo nuk është me qira”, “Palermo nuk është për të pasurit” dhe “Sheshi ynë nuk është dhoma jote e ndenjjes”. Protestat janë përqendruar pranë sheshit Croce dei Vespri, ku pritet të zhvillohet një pjesë e rëndësishme e ceremonisë.
Pas reagimit qëndron lëvizja qytetare “Apro Palermo”, e cila prej kohësh kundërshton ndikimin e turizmit masiv dhe organizimin e eventeve ekskluzive që, sipas tyre, kufizojnë jetën e përditshme të banorëve dhe privatizojnë hapësirat publike.
Edhe pse pankartat u hoqën nga autoritetet, debati nuk është shuar. Shumë banorë dhe biznese lokale kanë shprehur pakënaqësi për bllokimet e trafikut, masat e rrepta të sigurisë dhe kufizimet e lëvizjes të vendosura për shkak të ceremonisë. Në disa zona janë ngritur barriera dhe struktura të përkohshme për të garantuar privatësinë e të ftuarve VIP.
Ndërkohë, Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, aktori britanik Callum Turner, kanë mbërritur në Palermo dhe po qëndrojnë në hotelin luksoz Villa Igiea. Sipas mediave ndërkombëtare, në festimet treditore marrin pjesë mbi 200 të ftuar nga bota e muzikës, modës dhe spektaklit, mes tyre emra të njohur si Elton John, Charli XCX, Donatella Versace, Mark Ronson dhe figura të tjera të famshme.
Ndërsa autoritetet lokale e shohin eventin si një mundësi për promovimin ndërkombëtar të Palermos dhe përfitime ekonomike nga turizmi, kritikët argumentojnë se qyteti po humbet identitetin e tij duke u kthyer në një destinacion të rezervuar për evente luksoze dhe vizitorë të pasur.
Burimi;https://www.instagram.com/dualipa
Foto;https://www.instagram.com/dualipa