ShowBiz

Erjola Doçi surprizon Mateo Borrin në “Top Arena”: “Si është ta ndash skenën me ish-in?”

Një moment interesant dhe i papritur ka tërhequr vëmendjen e publikut gjatë transmetimit të emisionit “Top Arena”, ku moderatorit Mateo Borri iu desh të përballej me një pyetje mjaft personale nga e ftuara e tij, influencuesja dhe ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 3”, Erjola Doçi.

Atmosfera në studio ishte e qetë dhe e mbushur me humor, ndërsa biseda mes tyre po zhvillohej në mënyrë spontane. Fillimisht ishte Mateo ai që e drejtoi intervistën drejt jetës private të Erjolës, duke e pyetur në lidhje me marrëdhënien e saj aktuale dhe nëse mendonte se partneri që ka sot mund të ishte personi i duhur për të ardhmen.

“Mendon që ky do të jetë partneri ideal dhe i fundit për ty?”, ishte pyetja e Mateos.

Megjithatë, Erjola nuk u mjaftua vetëm me përgjigjen dhe vendosi t’ia kthente situatën moderatorit. Me stilin e saj karakteristik dhe me nota humori, ajo la të kuptohej se edhe Mateo kishte eksperiencat e tij në raport me marrëdhëniet sentimentale.

“Këtë s’e di, përndryshe do e dije edhe ti në qoftë se… nejse, se nuk po ju ngacmoj më”, tha Erjola duke shkaktuar të qeshura në studio.

Kur dukej se biseda po i afrohej fundit dhe Mateo tentoi ta mbyllte segmentin, Erjola vendosi të lëshonte “bombën” e saj. Ajo i drejtoi një pyetje krejtësisht të papritur, e cila lidhej drejtpërdrejt me jetën personale të moderatorit dhe praninë në studio të ish-partneres së tij, Brikena.

“Si është ta ndash skenën me ish-in?”, e pyeti Erjola.

Pyetja e la për disa çaste pa fjalë Mateon, i cili u duk i befasuar nga situata. Momenti u bë edhe më i komentuar për faktin se Brikena ndodhej në panel në atë moment. Kujtojmë se dyshja krijuan një romancë gjatë eksperiencës së tyre në “Big Brother VIP Albania”, një histori që u ndoq me interes të madh nga publiku.

Reagimi i Mateos dhe atmosfera e krijuar në studio sollën një nga momentet më spontane dhe argëtuese të emisionit, duke u kthyer menjëherë në një prej temave më të komentuara në rrjetet sociale. Ndërkohë, publiku mbetet kurioz të shohë nëse kjo situatë do të pasohet me reagime të tjera nga protagonistët në ditët në vijim.