Ujitja e bimëve në kohën e duhur mund të bëjë një ndryshim të madh në shëndetin dhe zhvillimin e tyre, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta.
Ekspertët e kopshtarisë theksojnë se zgjedhja e orarit të përshtatshëm për ujitje ndihmon në shmangien e avullimit të shpejtë të ujit dhe u jep bimëve mundësinë të përthithin lagështinë e nevojshme përpara se nxehtësia ta thajë tokën.
Sipas specialistëve të “Blooming Expert”, periudha ideale për ujitjen e bimëve është pasditja e vonë ose mbrëmja e hershme, mes orës 16:00 dhe 18:00. Në këtë kohë, temperaturat fillojnë të bien, ndërsa toka ka ende ngrohtësi të mjaftueshme për të ndihmuar rrënjët të përthithin ujin në mënyrë efikase.
Ekspertët vlerësojnë se gjatë ditëve shumë të nxehta është më mirë të ujiten bimët në mbrëmje sesa të lihen pa ujë deri të nesërmen në mëngjes. Kjo pasi toka thahet shpejt dhe bimët mund të përjetojnë stres nga mungesa e lagështisë.
Megjithatë, ata këshillojnë që uji të drejtohet te rrënjët dhe jo mbi gjethe. Lagështia e tepërt në sipërfaqen e gjetheve gjatë natës mund të krijojë kushte të favorshme për zhvillimin e sëmundjeve kërpudhore dhe problemeve të tjera që dëmtojnë bimët.
Kopshtarët rekomandojnë gjithashtu kontrollimin e lagështisë së tokës përpara ujitjes, në mënyrë që të shmanget teprimi me ujë, i cili mund të jetë po aq i dëmshëm sa mungesa e tij.
Për ata që dëshirojnë një kopsht të gjelbër dhe të shëndetshëm gjatë verës, zgjedhja e kohës së duhur për ujitje mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm për suksesin e bimëve.
Burimi
Foto; Freepik.com