Pas Volkswagen-it, edhe Mercedes po orienton aktivitetin e saj drejt industrisë së mbrojtjes. Kompania gjermane po përgatit një bashkëpunim me një kompani të specializuar në prodhimin e dronëve. Ndërkohë, ajo ka nënshkruar një kontratë prej 1 miliard eurosh me Ministrinë e Mbrojtjes së Lituanisë për furnizimin me automjete ushtarake.
Sipas një raporti të Financial Times, Mercedes-Benz do të bashkëpunojë me startup-in Tytan Technologies, i cili prodhon dronë interceptues.
Sipas raportit, ky sistem pritet të jetë më ekonomik se alternativat konkurruese dhe të vihet në dispozicion më shpejt se sistemet më komplekse të destinuara për përdorim në vijën e parë të frontit.
Tytan Technologies, e cila specializohet në zhvillimin dhe prodhimin e dronëve autonomë interceptues të kontrolluar me inteligjencë artificiale dhe bashkëpunon me Ukrainën, synon të nisë prodhimin deri në fund të këtij viti.
Nga ana e saj, drejtori ekzekutiv i Mercedes, Ola Källenius, deklaroi së fundmi për Wall Street Journal se kompania mund të zgjerojë aktivitetin e saj në sektorin e mbrojtjes, por kjo do të mbetet një fushë e veçantë dhe jo aktiviteti kryesor i saj.
Zhvillimi i sistemit të ri vjen në një kohë kur shqetësimet për sulme të mundshme me dronë ndaj infrastrukturës kritike të Gjermanisë po shtohen.
Së fundmi, Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës u ka bërë thirrje kompanive gjermane të marrin masa mbrojtëse kundër dronëve, pasi vitet e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e pranisë së tyre, veçanërisht pranë aeroporteve dhe objekteve ushtarake.
Ndërkohë, Mercedes ka nënshkruar një kontratë me vlerë 1 miliard euro me qeverinë e Lituanisë për furnizimin e forcave të armatosura të vendit me automjete Mercedes-Benz G-Class dhe kamionë ushtarakë Unimog, Zetros dhe Arocs, të prodhuar nga Daimler Truck.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Lituanisë, marrëveshja e nënshkruar parashikon që dorëzimi i automjeteve të kryhet gradualisht nga viti 2026 deri në vitin 2032.