ShowBiz

Liam Payne nuk la testament, zbulohet trashëgimtari i pasurisë së tij prej 24 milionë eurosh

Djali 8-vjeçar i këngëtarit të ndjerë Liam Payne, Bear Grey Payne, pritet të trashëgojë të gjithë pasurinë e artistit, e cila vlerësohet në më shumë se 24 milionë euro. Lajmi bëhet i ditur nga dokumente të reja të administrimit të trashëgimisë, të depozituara në Gjykatën e Lartë të Britanisë së Madhe.

Sipas Daily Mail, dokumentet lidhen me pasurinë që ish-anëtari i grupit One Direction la pas pas vdekjes së tij në tetor të vitit 2024. Payne humbi jetën në moshën 31-vjeçare pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires dhe nuk kishte lënë testament.

Bazuar në legjislacionin britanik për trashëgiminë, duke qenë se këngëtari nuk ishte i martuar dhe nuk kishte një partneritet civil të regjistruar, trashëgimtari i vetëm ligjor i pasurisë së tij është djali që ai pati me këngëtaren Cheryl Tweedy. Dokumentet e reja gjyqësore lejojnë që një pjesë e pasurisë të përdoret për nevojat dhe mirëqenien e fëmijës përpara se ai të mbushë moshën madhore. Pjesa tjetër e pasurisë do të mbetet nën administrim të posaçëm deri sa Bear të mbushë 18 vjeç.

Në maj të vitit 2025, Cheryl Tweedy dhe avokati i industrisë muzikore, Richard Bray, u emëruan administratorë të pasurisë. Fillimisht ata kishin të drejtë vetëm të ruanin dhe menaxhonin asetet e këngëtarit, ndërsa tani mund t’i përdorin ato në interes të trashëgimtarit të mitur.

Të dhënat e përditësuara tregojnë se pasuria e Payne vlerësohet në rreth 26.5 milionë paund para zbritjes së detyrimeve dhe taksave, ndërsa vlera neto arrin në afro 21.9 milionë paund. Kjo shumë është rreth 2.3 milionë paund më e ulët se vlerësimi i bërë një vit më parë. Burime pranë partneres së tij të fundit, Kate Cassidy, kanë bërë të ditur se ajo nuk kishte ndërmend të kërkonte pjesë nga trashëgimia, edhe pse jetonte me këngëtarin në Florida para vdekjes së tij.

Mes pasurive më të vlefshme të artistit është një vilë luksoze me pesë dhoma gjumi në Chalfont St Giles, të cilën e kishte blerë në vitin 2021 për 3.25 milionë paund, me qëllim që të ishte më pranë djalit të tij pas ndarjes nga Cheryl. Prona përfshin pishinë, palestër, spa dhe fusha tenisi.

Vdekja e Liam Payne tronditi industrinë muzikore ndërkombëtare. Autoritetet argjentinase konfirmuan se shkaku i vdekjes ishte politrauma, një term mjekësor që përdoret për dëmtime të shumta dhe të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Hetimet mbi rrethanat e ngjarjes vijojnë ende, ndërsa dy persona përballen me akuza për furnizim me kokainë ndaj këngëtarit para vdekjes së tij.

Liam Payne u bë i famshëm në mbarë botën si pjesë e grupit One Direction, një nga grupet më të suksesshme të dekadës së fundit. Pas shpërbërjes së grupit në vitin 2016, ai vazhdoi karrierën solo, duke publikuar një sërë këngësh të suksesshme dhe duke mbetur një nga artistët më të ndjekur të brezit të tij.

Burimi; https://www.instagram.com/liampayne

Foto; https://www.instagram.com/liampayne