ShowBiz

Zuckerberg sfidon Polymarket, Meta përgatit aplikacionin e ri të parashikimeve “Arena”

Meta po punon për krijimin e një aplikacioni të ri të quajtur “Arena”, me të cilin synon të hyjë në tregun në rritje të platformave të parashikimeve online dhe të konkurrojë me emra si Polymarket dhe Kalshi.

Sipas një raportimi të New York Times, projekti është iniciuar nga vetë themeluesi i Meta-s, Mark Zuckerberg, dhe parashikon krijimin e një platforme ku përdoruesit do të mund të bëjnë parashikime mbi ngjarje sportive, politike dhe zhvillime të aktualitetit. Të paktën në fazën fillestare, sistemi do të funksionojë me pikë dhe jo me para reale.

 Brenda kompanisë, “Arena” konsiderohet një projekt strategjik, ndërsa Meta po kërkon mënyra të reja për të rritur angazhimin e përdoruesve në një kohë kur rrjetet sociale tradicionale po tregojnë shenja ngopjeje.

Aplikacioni do të funksionojë i pavarur nga Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger, por mund të mbështetet te baza gjigante prej më shumë se 3.5 miliardë përdoruesish që përdorin çdo ditë platformat e Meta-s.

Interesi i Zuckerberg vjen në një moment kur tregu i ashtuquajtur “prediction markets” po njeh një rritje të shpejtë. Këto platforma u lejojnë përdoruesve të parashikojnë rezultatet e ngjarjeve të ardhshme, duke filluar nga zgjedhjet politike e deri te ndeshjet sportive. Vetëm gjatë vitit 2026, Polymarket dhe Kalshi kanë gjeneruar mbi 130 miliardë dollarë volum transaksionesh.

Megjithatë, sektori është përballur edhe me kritika të shumta. Hetime të mediave amerikane kanë treguar se pjesa më e madhe e fitimeve përfundon në duart e një numri shumë të vogël përdoruesish profesionistë, ndërsa shumica e pjesëmarrësve pësojnë humbje.

Po ashtu, autoritetet amerikane kanë ngritur shqetësime për rrezikun e manipulimit të tregut dhe përdorimin e informacioneve konfidenciale për përfitime financiare.

Meta ka eksperimentuar edhe më parë me platforma të ngjashme. Në vitin 2020 kompania lançoi “Forecast”, një shërbim parashikimesh që u mbyll dy vjet më vonë.

Pavarësisht interesit të madh, nuk është ende e sigurt nëse “Arena” do të dalë në treg. Burime pranë projektit bëjnë të ditur se aplikacioni është ende në fazën e zhvillimit dhe mund të mos lançohet kurrë zyrtarisht.

Burimi;https://www.instagram.com/zuck/

Foto;https://www.instagram.com/zuck/