ShowBiz

Taylor Swift rrëfen historitë pas hiteve të saj më të mëdha

Taylor Swift ka folur hapur për procesin e saj krijues dhe historitë që qëndrojnë pas disa prej këngëve më të njohura, në një intervistë të rrallë për emisionin “Popcast” të “The New York Times”.
Këngëtarja 36-vjeçare u intervistua në Los Angeles nga gazetari i kulturës Joe Coscarelli, pasi u përfshi në listën e revistës amerikane me “30 kompozitorët më të mëdhenj amerikanë që janë ende gjallë”. Për hartimin e kësaj liste u konsultuan më shumë se 250 profesionistë të industrisë muzikore dhe gjashtë kritikë të “Times”.

Gjatë bisedës, Swift tregoi se nisi të shkruante këngë që në moshën 12-vjeçare. Ajo foli për rëndësinë që u kushton fjalëve, ritmit dhe kontrasteve emocionale, duke zbuluar se në telefon mban vazhdimisht një listë me shprehje, pyetje dhe ide që mund t’i përdorë më vonë në krijimet e saj.

Artistja shpjegoi gjithashtu pasionin e saj për pjesën lidhëse të këngës, të njohur si “bridge”, të cilën e konsideron momentin kur dëgjuesi arrin të kuptojë të gjithë tablonë emocionale të veprës. Ajo dhe bashkëpunëtori Jack Antonoff i quajnë disa prej këtyre pjesëve “rant bridges”, për shkak të shpërthimit intensiv dhe pothuajse të pandërprerë të emocioneve.

Një nga shembujt më të njohur është “All Too Well”. Swift tregoi se versioni dhjetëminutësh lindi gjatë provave të turneut “Speak Now”, kur nisi të këndonte spontanisht mbi të njëjtat akorde. Nëna e saj i kërkoi inxhinierit të zërit që ta ruante regjistrimin dhe ai moment u shndërrua më vonë në këngën që njohin fansat.

Swift foli edhe për ndikimet e saj të hershme nga muzika country, emo dhe pop-punk, si dhe për mënyrën se si jeta nën vëmendjen e publikut ndikon në historitë që zgjedh të tregojë përmes muzikës.

Intervista ka ngjallur interes të madh në internet, duke regjistruar rreth 1.8 milion shikime dhe dhjetëra mijëra pëlqime në YouTube.