Business / Technology

Marrëveshja prej 18 miliardë dollarësh e Metës: Çfarë ndryshon për fëmijët dhe rrjetet sociale?

Marrëveshja prej 18 miliardë dollarësh, rreth 13.3 miliardë paund, që Meta ka arritur me pothuajse të gjitha shtetet amerikane, shkon përtej anës financiare.

Si pjesë e marrëveshjes, Facebook dhe Instagram kanë pranuar të vendosin disa masa të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve në internet, edhe pse Meta nuk ka pranuar asnjë shkelje.

Masat përfshijnë kufizime kohore, paralajmërime për kohën e kaluar para ekranit dhe më shumë kontroll prindëror mbi llogaritë e fëmijëve. Për momentin, ato do të zbatohen vetëm për fëmijët në SHBA, por mund të kenë ndikim edhe në pjesën tjetër të botës.

Nëse këto masa krijojnë precedent, edhe kompani të tjera të rrjeteve sociale mund të detyrohen t’i zbatojnë rregulla të ngjashme.

Çfarë nënkupton kjo për Mbretërinë e Bashkuar?

Mbretëria e Bashkuar ka tashmë masa të veta për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Ligji për Sigurinë Online fokusohet kryesisht te kufizimi i përmbajtjeve që të rinjtë mund të shohin në rrjet.

Megjithatë, qeveria britanike ka shkuar edhe më tej, duke njoftuar më herët gjatë këtij viti një ndalim të plotë të rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç, i cili pritet të hyjë në fuqi në vitin 2027.

Për të rinjtë 16 dhe 17 vjeç do të zbatohen masa të tjera, përfshirë kufizime përdorimi në orare të caktuara të ditës.

Ndryshe nga Britania e Madhe, fëmijët në SHBA nuk do të ndalohen plotësisht nga rrjetet sociale. Ata nuk do të kenë qasje në Facebook dhe Instagram gjatë natës, do të përballen me kufij kohorë dhe do të marrin njoftime nëse i përdorin aplikacionet për periudha të gjata.

Këto masa nuk janë vendosur me ligj dhe, për momentin, zbatohen vetëm për dy platformat e Metës.

Qeveria britanike ka deklaruar se po i ndjek nga afër zhvillimet lidhur me marrëveshjen e Metës. Sipas Trevor Johnson, ish-drejtues i lartë në Meta dhe TikTok, pranimi i këtyre masave në SHBA mund ta inkurajojë edhe Britaninë që të kërkojë kufizime të njëjta.

Ndërkohë, ish-drejtori i Metës, Zvika Krieger, ka thënë se kompania e ka kuptuar se ndryshimet ishin të pashmangshme dhe mund t’i shtrijë këto masa edhe në vende të tjera.

A do të preken edhe TikTok, YouTube dhe Snapchat?

Edhe pse Meta ishte në qendër të këtij procesi gjyqësor, kompania u ka kërkuar publikisht TikTok dhe YouTube që të vendosin masa të ngjashme për mbrojtjen e fëmijëve. Një zëdhënës i Metës ka deklaruar për Reuters se kompania shpreson që edhe Snapchat të bëjë ndryshime të ngjashme.

Meta ka theksuar se rregullat duhet të jenë të barabarta për të gjitha platformat, pasi të rinjtë që kufizohen në një aplikacion mund të kalojnë thjesht në një tjetër.

YouTube, Snapchat dhe TikTok kanë deklaruar se kanë politika të forta për sigurinë e fëmijëve, por deri tani nuk kanë bërë të ditur nëse do të ndjekin të njëjtin model si Meta.

Ku do të shkojnë paratë?

Meta do të paguajë deri në 18 miliardë dollarë për pothuajse të gjitha shtetet amerikane, Distriktin e Kolumbias dhe tre territore të SHBA-së. Rreth 30 për qind e kësaj shume varet nga pranimi i masave të sigurisë për fëmijët edhe nga TikTok dhe YouTube.

Shuma është dukshëm më e ulët sesa vlerësimet prej qindra miliardë dollarësh që qarkulluan përpara procesit gjyqësor. Ajo përbën gjithashtu vetëm një pjesë të të ardhurave vjetore të Metës, të cilat arritën në 201 miliardë dollarë vitin e kaluar. Pagesa do të kryhet përgjatë një periudhe dhjetëvjeçare.

Shtetet do t’i përdorin fondet për shërbime të shëndetit mendor, programe edukimi dhe iniciativa që synojnë të reduktojnë dëmet e përdorimit të pashëndetshëm të rrjeteve sociale nga të rinjtë.

Shteti i Nju Jorkut, për shembull, pritet të marrë të paktën 819 milionë dollarë. Dy shtetet që nuk janë pjesë e marrëveshjes janë Florida, e cila e ka refuzuar atë, dhe New Mexico, që nuk u përfshi në ofertë pas një çështjeje të mëparshme gjyqësore që solli një gjobë prej 942 milionë dollarësh.

Debati për sigurinë online vazhdon

Ish-sinjalizuesi i Metës, Arturo Béjar, e ka krahasuar sërish rrjetet sociale me industrinë e duhanit, duke theksuar se edhe pasi kompanitë u shpallën përgjegjëse për produkte të dëmshme, cigaret vazhduan të shiteshin.

Ndërsa Alexa Knight nga Fondacioni për Shëndetin Mendor ka deklaruar se kompanitë teknologjike duhet të trajtohen si prodhuesit e çdo produkti tjetër: të garantojnë sigurinë e tij përpara se ta nxjerrin në treg, veçanërisht kur përdoret nga fëmijët.

Prindërit dhe aktivistët thonë se masat e reja janë një hap përpara, por nuk mjaftojnë. Sipas tyre, kufizimi i kohës së përdorimit nuk zgjidh domosdoshmërisht çështjen e përmbajtjeve të dëmshme që fëmijët mund të shohin në platforma.

Po privatësia e të rinjve?

Një nga çështjet kryesore të procesit gjyqësor lidhej me mënyrën se si Meta mblidhte dhe përdorte të dhënat e të rinjve, përfshirë edhe fëmijët nën 13 vjeç.

Sipas marrëveshjes, Meta duhet t’i përdorë të dhënat personale të të rinjve vetëm për të vlerësuar moshën e tyre. Fëmijët nën 13 vjeç duhet të largohen nga platformat, ndërsa përdoruesit 13 deri në 17 vjeç duhet t’u nënshtrohen mbrojtjeve shtesë.

Meta ka deklaruar se do të forcojë teknologjinë e verifikimit të moshës dhe ka përsëritur kërkesën e saj që verifikimi të kryhet nga dyqanet e aplikacioneve, jo drejtpërdrejt nga vetë kompania.

Megjithatë, aktivistët për privatësinë paralajmërojnë se metodat e verifikimit të moshës mund të kërkojnë mbledhjen e edhe më shumë të dhënave personale nga përdoruesit.

Burimi:https://www.bbc.com/news/articles/cg49q4xydq0o

Foto; Freepik.com