Në veriun e largët të Norvegjisë, pranë qytetit të Kirkenes, turistët po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga një përvojë e pazakontë: ecja në shtigjet që ndjekin kufirin tokësor mes Norvegjisë dhe Rusisë.
Peizazhi i tundrës, pyjet e thupërve dhe lumi Pasvik krijojnë pamje mbresëlënëse, por kjo nuk është një shëtitje e zakonshme në natyrë. Përgjatë rrugës, vizitorët mund të vënë re kamera të varura në pemë, kulla ushtarake vëzhgimi dhe patrulla që monitorojnë zonën.
Kirkenes ndodhet në verilindje të Norvegjisë, pranë pikës ku takohen Norvegjia, Rusia dhe Finlanda. Qyteti njihet prej vitesh si ndalesë për lundrimet arktike, por operatorët lokalë po ofrojnë tashmë edhe ture pranë kufirit 198 kilometra të gjatë mes Norvegjisë dhe Rusisë, i cili nuk ka gardh përgjatë gjithë vijës së tij, por monitorohet rreptësisht.
Një nga shëtitjet më të kërkuara zgjat rreth tri orë dhe kalon nëpër një pyll thupërsh, zona të lagështa dhe shtigje pranë lumit Pasvik. Rruga shtrihet paralelisht me lumin për rreth një kilometër, deri sa mbërrin te i ashtuquajturi “korridori kufitar” – një brez i pastruar pyjor, rreth tetë metra i gjerë, ku turistëve nuk u lejohet të hyjnë.
Kufiri shënohet nga shtylla me ngjyra të ndryshme: të verdha në anën norvegjeze dhe të kuqe në anën ruse. Pika kulmore e turit është ngjitja në kodrën Russehøgda, prej nga vizitorët mund të shohin pikën kufitare të Storskogut, e vetmja pikë tokësore ligjore e kalimit mes dy vendeve.
Udhërrëfyesi Henrik Hoffmann, i cili i udhëheq këto ture që prej vitit 2025, tregon se atmosfera e zonës e bën të qartë se bëhet fjalë për një kufi shumë të ndjeshëm. Ai fik telefonin celular gjatë hyrjes në pyll, për të shmangur lidhjen me rrjetet ruse të të dhënave, dhe mban me vete një telefon satelitor.
Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, masat e sigurisë në të dyja anët e kufirit janë shtuar. Edhe veprime që mund të duken të parëndësishme, si hedhja e gurëve drejt territorit rus, mund të sjellin gjoba të larta. Kalimi përtej shenjave kufitare mund të përfundojë edhe me ndalim nga autoritetet.
Megjithatë, interesimi i turistëve për këtë zonë është në rritje. Sipas Hoffmann, shumë vizitorë, veçanërisht ata më të moshuar që e kujtojnë periudhën e Luftës së Ftohtë, dëshirojnë të shohin nga afër një nga kufijtë më të monitoruar të Europës dhe të kuptojnë më mirë realitetin e jetës pranë Rusisë.
“Shumë njerëz kanë ndjekur marrëdhëniet mes Europës dhe Rusisë për dekada. Kjo shëtitje u jep mundësinë ta përjetojnë vetë peizazhin, por edhe të mësojnë për historinë dhe realitetin e sotëm të jetesës pranë kufirit”, shprehet ai.
Operatorë të tjerë turistikë kanë organizuar vizita në këtë zonë prej vitesh. Havila Voyages ofron ture pranë kufirit që nga viti 2000, ndërsa kompania Hurtigruten ka bërë të ditur se ekskursioni i saj në kufirin norvegjez, i cili përfshin edhe një strehë të Luftës së Dytë Botërore, është kthyer së fundmi në më të kërkuarin nga turet e saj në Kirkenes.
Sipas operatorëve lokalë, pas një rënieje të përkohshme të turizmit pas nisjes së luftës në Ukrainë, kurioziteti për të kuptuar këtë kufi është rritur. Për shumë vizitorë, nuk është vetëm dëshira për një aventurë në Arktik, por edhe mundësia për të parë nga afër një vijë ndarëse që sot ka marrë një rëndësi të veçantë gjeopolitike.