ShowBiz

Gjesti dënohet me dy vjet burg me kusht dhe 6 mijë euro gjobë

Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti, është dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe me gjobë prej 6 mijë eurosh.

Vendimi është marrë pasi ai ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë, në kuadër të çështjes gjyqësore që lidhet me konfliktin e tij me Erkand Shabanin, pronarin e kompanisë muzikore “Onima”.

Gjesti është paraqitur sot në gjykatë, ku mbrojtja e tij ka kërkuar që çështja të mbyllet përmes një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë. Edhe pse kërkesa është kundërshtuar fillimisht nga pala e dëmtuar, ajo është pranuar më pas nga Gjykata.

Këngëtari ishte arrestuar më 11 mars, nën dyshimin për tri vepra penale: armëmbajtje pa leje, kanosje dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.

Ngjarja mori vëmendje të madhe publike pasi, disa muaj më parë, në media u publikuan pamje që tregonin momentin kur Gjesti kishte hyrë në ambientet e shtëpisë muzikore “Onima”.