ShowBiz

Sara Berisha konfirmon ndarjen nga DJ PM: “Prej disa muajsh nuk jemi më bashkë”

 Pas javësh me aludime rreth një krize në marrëdhënien e tyre, Sarah Berisha ka konfirmuar se historia e dashurisë me DJ PM ka përfunduar.

Sarah dhe PM u njohën gjatë qëndrimit në edicionin e parë të “Big Brother VIP Albania”, ku nisi edhe romanca e tyre. Pas përfundimit të spektaklit, ata vazhduan lidhjen dhe u kthyen në një prej çifteve më të ndjekura nga publiku në rrjetet sociale.

Megjithatë, gjatë javëve të fundit, ndjekësit kishin vënë re disa detaje që ngritën dyshime për ndarjen. Një prej tyre ishte fakti se dyshja nuk ndiqej më në Instagram, ndërsa mungonin edhe daljet e përbashkëta që më parë ishin të shpeshta.

Konfirmimi ka ardhur nga vetë Sarah gjatë një bisede virtuale me ndjekësit. E pyetur drejtpërdrejt nëse vazhdonte të ishte në një lidhje me DJ PM, influencerja pranoi se ata ishin ndarë disa muaj më parë.

“Jo, ne nuk jemi më bashkë. U bënë disa muaj që jemi ndarë, shumë përpara se të dilte lajmi. Disa gjëra janë të shkruara për të mos zgjatur gjithmonë, por e mira është që, kur marrin fund, të ruajmë respekt për njëri-tjetrin”, shkroi Sarah.

Ajo shpjegoi se vendosi ta bënte publik lajmin për shkak të njerëzve që e kanë mbështetur çiftin që nga fillimi i historisë së tyre në “Big Brother VIP Albania”.

Me këtë deklaratë, Sarah u ka dhënë fund pikëpyetjeve që qarkullonin prej javësh, duke sqaruar se ndarja kishte ndodhur më herët dhe se, pavarësisht përfundimit të lidhjes, mes saj dhe DJ PM vazhdon të ketë respekt.