ShowBiz

Kim Kardashian “pushton” shtëpinë me dado

Kim Kardashian ka zbuluar se ka pesë dado që ndihmojnë në kujdesin ndaj katër fëmijëve të saj me ish-bashkëshortin Kanye West, North, Saint, Chicago dhe Psalm.

Në një intervistë për Style të Sunday Times, ylli televiziv tregoi se vetëm një dado është në detyrë në të njëjtën kohë, ndërsa katër të tjerat alternohen. Megjithatë, Kardashian theksoi se përpiqet të jetë vetë e pranishme në përditshmërinë e fëmijëve, duke i çuar e marrë nga shkolla dhe duke mos munguar në darkat familjare.

“Besoj se jam një prind mesatarisht i rreptë. Jam mjaft e duruar dhe e dashur. Ende lejoj që ndonjëri prej fëmijëve të flejë në shtratin tim kur dëshiron dhe çdo mbrëmje lexoj libra me ta”, u shpreh ajo.

Një prej shqetësimeve të saj kryesore është ekspozimi gjithnjë e më i madh i fëmijëve në publik, veçanërisht i North, e cila po bëhet aktive në TikTok dhe ka nisur të merret me muzikë.

Pikërisht për projektet muzikore të vajzës së tyre, Kardashian tha se komunikon shpesh me Kanye West, duke theksuar se të dy përpiqen të jenë në një linjë dhe të miratojnë së bashku angazhimet e 13-vjeçares.

“Sigurohemi që të jemi dakord dhe që ajo të marrë pjesë në projekte që i miratojmë të dy”, pohoi ajo.

Ndërkohë, Kardashian tregoi se fëmijët më të vegjël shfaqen në “The Kardashians”, por nuk kanë histori të veçanta në reality show, ndërsa North është më e interesuar për kamerat dhe projektet televizive.