Albumi i ri i Miley Cyrus, “Bass Persuades”, ka shënuar një rënie të fortë në klasifikimin amerikan Billboard 200. Vetëm një javë pasi debutoi në vendin e parë, projekti zbriti në pozicionin e 157-të, duke humbur plot 156 vende. Lëvizja renditet ndër rëniet më të mëdha nga kreu në historinë e kësaj liste.
“Bass Persuades” e nisi rrugëtimin me rreth 61 mijë njësi ekuivalente albumesh, duke i siguruar këngëtares rikthimin në krye të Billboard 200 për herë të parë që prej “Bangerz”, në vitin 2013. Gara ishte e ngushtë: projekti i Cyrus la pas albumin “Dandelion” të Ella Langley me një diferencë prej rreth 70 njësish.
Ky është gjithashtu albumi i parë i këngëtares nën Atlantic Records, pas largimit nga Columbia. Sipas Page Six, promovimi përfshiu disa variante fizike dhe digjitale të albumit. Megjithatë, suksesi i debutimit nuk u ruajt në javën e dytë.
Ndërkohë, kënga që mban titullin e albumit debutoi në vendin e 35-të të Billboard Hot 100. Me këtë rezultat, “Bass Persuades” u bë kënga e parë solo e Cyrus që hyn në Top 40 që prej “Used to Be Young”, të publikuar në vitin 2023.
Promovimi i projektit do të vijojë edhe me dy koncerte në Hollywood Bowl, në Los Angeles, të planifikuara për më 16 dhe 18 tetor.