ShowBiz

Ronaldo dhe Georgina blejnë dy vila në Detin e Kuq, ishulli arrihet vetëm me anije ose hidroplan

Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez kanë zgjeruar portofolin e pronave të tyre me dy vila luksoze në një ishull në Detin e Kuq, në Arabinë Saudite, sipas raportimit të Telegrafit.

Pronat ndodhen në pjesën rezidenciale të kompleksit Nujuma, Ritz-Carlton Reserve, një destinacion që ofron privatësi dhe qetësi. Ishulli gjendet rreth 26 kilometra larg kontinentit dhe mund të arrihet vetëm me anije ose hidroplan.

Çifti ka zgjedhur dy vila me madhësi të ndryshme. Njëra ka tri dhoma gjumi dhe ofron hapësirë për qëndrime familjare me fëmijët, ndërsa tjetra ka dy dhoma gjumi.

Sipas të njëjtit raportim, vlera e pronave tejkalon tetë milionë euro. Megjithatë, çmimi i saktë i blerjes nuk është bërë publik zyrtarisht.

Ronaldo ka treguar se lidhja me këtë destinacion lindi që gjatë vizitës së parë, kur ai dhe Georgina u tërhoqën nga bukuria natyrore dhe qetësia e ishullit.

“Deti i Kuq është vërtet një vend i veçantë. Që nga vizita jonë e parë, unë dhe Georgina ndiem një lidhje me ishullin dhe bukurinë e tij natyrore. Ndihemi në paqe këtu”, citohet të ketë thënë futbollisti.

Ai shtoi se pronat do t’u mundësojnë të kalojnë më shumë kohë me familjen, në privatësi dhe larg vëmendjes së publikut.

Pjesa rezidenciale e Nujuma përfshin 19 vila private, të rrethuara nga plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra të kthjellëta. Kompleksi është pjesë e projektit turistik të Detit të Kuq, përmes të cilit Arabia Saudite synon të zhvillojë turizmin luksoz.

Sipas informacionit të atribuar zhvilluesit Red Sea Global, Ronaldo dhe Georgina janë ndër blerësit e parë të rezidencave dhe kanë shfaqur interes edhe për investime të tjera në këtë destinacion.