ShowBiz

Publikohet kënga e papublikuar e Shpat Kasapit

Zëri i Shpat Kasapit vjen sërish përmes muzikës, këtë herë me një projekt që për bashkëshorten e tij, Selvije Jao, mbart një peshë të veçantë emocionale.

Kënga me titull “A je rahat pa mu” është publikuar nga Selvija, e cila ka vendosur të ndajë me fansat një tjetër pjesë të kujtimit të këngëtarit, edhe pse për të ky hap nuk ka qenë aspak i lehtë.

 Përmes një postimi në Instagram, ajo ka zbuluar prapaskenat e projektit, duke treguar se gjithçka kishte nisur pak para se Shpati të bëhej pjesë e një reality show.

“Sot, titulli ‘A je rahat pa mu’ më dhemb më shumë se çdo fjalë tjetër”, ka shkruar ajo, duke shprehur emocionet që e shoqërojnë këtë publikim.

Në atë periudhë, këngëtari i kishte dërguar katër versione demo të këngës dhe i kishte kërkuar bashkëshortes të zgjidhte atë që i pëlqente më shumë. Selvija kishte përzgjedhur pikërisht versionin që sot dëgjohet nga publiku.

Plani fillestar ishte që kënga të publikohej gjatë qëndrimit të Shpatit në reality show, por rrethanat bënë që projekti të mbetej i papërfunduar për publikun.

Dhimbja e bëri të vështirë publikimin

Pas ndarjes së parakohshme nga jeta të këngëtarit, në nëntor të vitit të kaluar, kënga mbeti një projekt i papublikuar, i lidhur ngushtë me kujtimet e Selvijes për bashkëshortin.

Ajo ka treguar se rreth muajit mars ose prill, producenti Anton Prendi i kishte dërguar versionin e përfunduar të këngës.

Megjithatë, edhe pse projekti ishte gati, për të nuk ishte e lehtë ta publikonte. Për muaj të tërë, ajo e mbajti larg vëmendjes së publikut, pasi ende nuk ndihej e përgatitur emocionalisht për të ndarë këtë pjesë kaq personale me të tjerët.

Në fund, vendosi që kënga të publikohej, duke i dhënë publikut mundësinë të dëgjojë sërish zërin e artistit dhe të ruajë gjallë kujtimin e tij përmes muzikës.