Këngëtarja turko-belge Hadise ka ndarë anën personale të jetës së saj në një intervistë për emisionin “#ABtalks”, me moderator Anas Bukhash. Përtej famës dhe skenës, ajo ka folur për familjen, dashurinë, vetminë dhe zhgënjimet nga njerëzit e afërt.
“Njerëzit të cilëve u besoja thellësisht më goditën pas shpine”, është deklarata e saj që shoqëron intervistën e publikuar më 13 tetor.
Sipas përshkrimit të episodit, artistja është ndalur te fëmijëria në një familje turke në Belgjikë dhe te divorci i prindërve. Mes kujtimeve që ka ndarë është edhe momenti kur ndihmoi të atin të paketonte valixhet gjatë ndarjes së tyre.
Hadise ka folur gjithashtu për kërkimin e ndjenjës së përkatësisë dhe për përvojat që kanë ndikuar në mënyrën si e sheh veten dhe marrëdhëniet me të tjerët. Në rrëfimin e saj përfshihen përpjekjet për t’i kënaqur të tjerët dhe ndjesia se jo gjithmonë kishte marrë dashurinë që meritonte.
Këngëtarja ka treguar pse vendosi të largonte nga jeta njerëz që i konsideronte toksikë, duke pranuar se ende po shërohet emocionalisht nga ato përvoja.
Një nga pikat kryesore të bisedës është marrëdhënia me veten. Hadise ka rrëfyer se në moshën 40-vjeçare mësoi ta donte veten vërtet, një ndryshim që e lidh me rrugëtimin e saj drejt ndjenjës së lirisë.
Burimi;https://www.youtube.com/watch?v=jN3herWIUWE
Foto;https://www.instagram.com/hadise/p/DepNEnUCEV4/?hl=en