28 dhe 29 Nëntori/ Cili simbol po “keqtrajtohen” ende?
Në 2012 me rastin e 100 vjetorit, u stampuan një sasi e madhe flamujsh me një shqiponjë që shfaqte defekte të dukshme dhe një diferencë nga orgjinali zyrtar, që s’mund të lërë askënd indiferent. Shformimet u vunë re në formën e krerëve dhe në atë të kthetrave, krejt ndryshe nga versioni zyrtar. Deformimi i shqiponjës së flamurit kombëtar, pikërisht për konotacionin kombëtar e jo shtetëror, që ai mbart, krijoi shumë pakënaqësi kudo ku ka shqiptarë.
Megjithatë, me keqardhje, vihet re edhe sot, kur gjithçka është shndërruar në “pazar”, se kjo shqiponjë e deformuar është në ballinë të shumë fushatave promocionale, adezivëve dhe posterave të ndryshëm që në fokus kanë pikërisht festimet e 28 dhe 29 Nëntorin. Kjo indiferencë karshi shformimit të flamurit shqiptar, pikërisht ditën e flamurit, është një absurd që zgjat prej pesë vitesh, i cili shpresojmë të ndodhë nga padituria e jo nga keqdashja.