Cilat janë problematikat të cilat amplifikohen edhe më tej prej rreshjeve të tejzgjatura
Një situatë kaotike është vënë re sot në kryeqytet. Përpos reshjeve, aktiviteti i qytetarëve vazhdon dhe përditshmëria e tyre padyshim që nuk mund të reshti edhe pse ka që prej ditës së djeshme që shiu nuk pushon. Problematike paraqitet gjendja, sidomos në rrethinat e kryeqytetit, ku infrastruktura mungon ose është e amortizuar totalisht.
Shqetësimet e kahershme qytetare për zona si Yzberishti, Kashari, Selita apo edhe zonat e populluara rishtas në Kamëz dhe Babrru etj, mbeten mungesa e kushteve në qendrat shëndetësore, ose mungesa e vetë qendrave të tilla, problemet ose mungesa e çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Po e njëjta logjikë gjykimi mund të përdoret edhe sa i takon shërbimeve të rendit publik, pra komisariateve të policisë, ose qendrave të emergjencave civile dhe shërbimit zjarrfikës. Shpërndarja gjeografike e shërbimeve publike, nëse i referohemi një harte të thjeshtë të kryeqytetit, është bërë në mënyrë të zhdrejtë, në krahasim me numrin e popullsisë që banon në secilën zonë. Ka shumë godina banimi dhe pak kushte për të banuar cilësisht. Kësisoj lind nevoja minimale e një transporti publik urban efiçent, drejt qendrës dhe zonave industriale. Ky shërbim gjithashtu është defiçitar, dhe dëshmi për këtë janë turmat e mëdha të njerëzve që presin nëpër stacione dhe mbingarkesa e urbanëve që tashmë është bërë problem rutinor.
Reshjet e sotme, që sipas Shërbimit Metereologjik, do vijojnë deri ditën e hënë, janë “qershia mbi tortë” e frustrimeve të qytetarëve të Tiranës.
Foto: © Arkiva News