Mësohet se është ndaluar sot nga Policia Rrugore këngëtari i mirënjohur i muzikës popullore Bujar Qamili. Këtë gjë e ka pranuar vetë këngëtari, i cili ka rrëfyer ngjarjen në emisionin “Rreze Dielli”në Report Tv.
Mjeshtri i Madh e pranoi në studion e emisionit se kishte nxituar duke tejkaluar paksa limitet e shpejtësisë për shkak të trafikut të rënduar në disa pjesë të rrugës, veçanërisht në Fushë Krujë dhe aksin Milot-Lezhë.
“Edhe pse u nisa herët prapë u vonova, e biles më ndaloi policia se nxitova. Por i thashë policit ‘më fal’ se jam në orën 9 në transmetim direkt”, tha këngëtari.
Fatmirësisht punonjësi i policisë rrugore thjesht e kishte këshilluar të mos tejkalonte limitin e lejuar të shpejtësisë dhe këngëtari shpëtoi paq pa u gjobitur.
Këngëtari ka shfrytëzuar praninë e tij në emision për t’i bërë apel ministrit, që ta rregullojnë këtë aks rrugor, në mënyrë që distanca Shkodër-Tiranë të jetë sa më e shkurtër.
Mjeshtri i Madh i muzikës popullore ishte i ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” për të folur mbi koncertin e tij recital që mbajti në 20 maj në Pallatin e Koncerteve në Tiranë por edhe për projekte të tjera artistike.
Link: https://www.youtube.com/watch?v=7Cl2wIRHeEI
Burimi i fotos kryesore: ©Report Tv