E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Beniada foli me sinqeritet për këtë kapitull të ri në jetën e saj, duke treguar se ndihet e lumtur dhe e qetë. “Nuk jam single. Është dikush në jetën time,” u shpreh ajo, ndërsa sqaroi se ka zgjedhur të mos e bëjë publike lidhjen më herët, pasi preferon që gjërat të marrin formë zyrtare përpara se t’i ndajë me të gjithë.
Ajo tregoi se partneri i saj është italian dhe se njihen prej shumë vitesh. Sipas Beniadës, marrëdhënia e tyre ka nisur si miqësi dhe me kalimin e kohës është kthyer në diçka më të thellë. “Kemi qenë shokë për vite. Pastaj ai mori guximin,” tha modelja, duke lënë të kuptohet se lidhja e tyre është ndërtuar mbi njohje, respekt dhe besim të ndërsjellë.
Megjithëse nuk ka ende një propozim martese apo unazë fejese, Beniada u shpreh optimiste për të ardhmen. “Nuk kam akoma një propozim, as një unazë. Nuk i dihet asnjëherë,” tha ajo me buzëqeshje, duke shtuar se është shumë e lumtur në këtë fazë të jetës së saj.
Modelja theksoi gjithashtu se i përket një mentaliteti tradicional dhe beson se hapat e rëndësishëm në një lidhje duhet të vijnë në mënyrën e duhur. “Jam tradicionale shqiptare me të vjetrën. Duhet që mashkulli të propozojë, pastaj vendosim ne,” u shpreh ajo, duke nënvizuar bindjet e saj për raportet serioze.
Beniada shtoi se ka mësuar të jetë më e rezervuar kur bëhet fjalë për jetën private. Sipas saj, eksperiencat e kaluara dhe ekspozimi i madh publik e kanë bërë të kuptojë se disa gjëra duhen ruajtur me kujdes. “Nga ana personale jam munduar të jem e tërhequr, të mos i tregoj gjërat pa qenë zyrtare,” tha ajo.
Deklarata e saj është pritur me interes nga publiku dhe ndjekësit në rrjetet sociale, të cilët prej kohësh kanë qenë kuriozë për statusin e saj sentimental. Megjithatë, këtë herë duket se Beniada po e shijon dashurinë larg zhurmës mediatike, duke i dhënë përparësi qetësisë dhe stabilitetit në jetën e saj.
Burimi;https://top-channel.tv
Foto;https://www.instagram.com/iambeniada