Aktori i njohur i humorit, Albano Bogdo, ka ndarë një histori personale dhe të ndjerë gjatë një interviste në “Grida Duma Podcast”, ku foli hapur për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij: divorcin e prindërve.
Ai tregoi se ndarja ndodhi në një moment shumë të vështirë për familjen, vetëm gjashtë muaj pas humbjes së gjyshit. Sipas Bogdos, gjithçka ndodhi papritur dhe pa shenja të dukshme tensioni në familje.
“Nuk e kisha pritur. Në shtëpi nuk dallohej që kishte probleme”, tha ai.
Duke kujtuar atë kohë, aktori tregoi se i ati ishte një person i qetë dhe i vendosur në karakter. Një ditë ai vendosi të largohej nga familja, duke shprehur hapur se nuk ishte i lumtur.
“U çua një ditë dhe tha: ‘nuk jam i lumtur, jam i lumtur diku tjetër’. Bëri zgjedhjen e tij. Kush jam unë ta gjykoj?”, u shpreh Bogdo.
Megjithatë, sipas tij, momenti më i vështirë nuk ishte vetëm ndarja e prindërve, por edhe mënyra se si reagoi rrethi shoqëror. Në vend të mbështetjes, ai u përball me pritshmëri të mëdha për moshën që kishte.
Shumë njerëz i thoshin se tani duhej të bëhej “burri i shtëpisë” dhe të mbante përgjegjësi për familjen, edhe pse ai nuk kishte mbushur ende 12 vjeç.
“Të më thoshin se duhej t’i vija shpatullat shtëpisë do të thoshte të lija shkollën dhe të filloja punë. Ishte shumë për një fëmijë”, tregoi ai.
Në intervistë, Bogdo ndau edhe momentin emocional me të ëmën, duke kujtuar një premtim që i kishte bërë asaj në atë kohë të vështirë.
“I thashë: çfarëdo që të ndodhë, ne do të jemi shokë të ngushtë derisa të vdesë njëri nga ne. Nuk do të të lë kurrë vetëm”, rrëfeu aktori.
Ai shtoi se vitet pas divorcit ishin të vështira si emocionalisht ashtu edhe ekonomikisht, por përvoja e asaj periudhe e ka ndihmuar të formohet si njeri dhe si artist.
Burimi: https://www.instagram.com/the_albanobogdo/
Foto:https://www.instagram.com/the_albanobogdo/