Produktet e kujdesit personal që përdoren nga gratë shpesh kanë çmime më të larta krahasuar me ato të destinuara për burrat edhe kur përbërësit dhe funksioni i tyre janë pothuajse të njëjtë. Ky fenomen njihet në shumë vende si “pink tax”, një term që përdoret për të përshkruar diferencën e çmimeve për produkte të ngjashme të tregtuara për gra dhe burra.
Në raftet e dyqaneve është e zakonshme të gjesh shampo, deodorantë apo brisqe rruajtjeje që kushtojnë më shumë vetëm sepse janë të dizajnuara dhe marketuara për gratë. Studime të ndryshme kanë treguar se në disa raste këto produkte mund të jenë deri në 48 për qind më të shtrenjta se versionet për burrat.
Përveç produkteve të përditshme të kujdesit personal, gratë përballen edhe me kosto të tjera të domosdoshme si produktet e higjienës mujore. Pecetat higjienike dhe tamponët janë produkte që përdoren për shumë vite dhe megjithëse shpenzimi mujor mund të duket i vogël, në afat të gjatë ai përbën një barrë të konsiderueshme financiare.
Edhe moda ndikon në këtë diferencë. Veshjet dhe aksesorët për gra shpesh kanë çmime më të larta se ato për burra ndërsa pritjet shoqërore për një garderobë të larmishme dhe të përditësuar e rrisin edhe më shumë këtë shpenzim. Shërbime si pastrimi kimik apo disa trajtime estetike mund të kushtojnë gjithashtu më shumë për gratë.
Ekspertët e lidhin këtë fenomen me strategjitë e marketingut dhe segmentimin e tregut ku kompanitë krijojnë produkte të veçanta për gra dhe burra edhe kur ndryshimet mes tyre janë minimale.
Burimi:
https://www.consumerreports.org/money/what-is-the-pink-tax-a1270997218/
Foto; Freepik.com