Home Lifestyle Dermatologët: Kujdes me diellin, mbroni lëkurën!
Dermatologët: Kujdes me diellin, mbroni lëkurën!
0

Dermatologët: Kujdes me diellin, mbroni lëkurën!

0
0

Me rritjen e temperaturave dhe nisjen e pushimeve, mjekët dermatologë apelojnë për kujdes të shtuar gjatë ekspozimit në diell. Mjekja dermatologe Monika Fida këshillon që plazhet dhe pishinat të frekuentohen në orët e para të mëngjesit, kur rrezatimi ultraviolet është më i ulët.

“Të frekuentojmë plazhin dhe pishinat në orët e para të mëngjesit, kur ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet është më i vogël. Por edhe ky ekspozim është i dëmshëm për lëkurën dhe ne duhet të jemi gjithmonë të mbrojtur me kremra ose solucione të blera në farmaci, me faktor të lartë mbrojtës. Faktori mbrojtës duhet të jetë 30-50+”, u shpreh Monika Fida, mjeke dermatologe.

Një tjetër këshillë e mjekes është mospërdorimi i solarëve para se të nisin plazhin.

“Referuar ekspozimit përpara se të shkojmë në plazh, nxirjeve artificiale nëpërmjet makinerive artificiale ose solarëve, është një gabim shumë i madh. Kjo do të thotë se nuk rekomandohet që ne të nxihemi paraprakisht në këto makineri dhe pastaj të frekuentojmë plazhin dhe pishinat”, shtoi dermatologia.

Sipas dermatologes Fida, qytetarët që kanë nishane duhet patjetër të bëjnë kontrolle të tyre te mjekët specialistë.

“Kontrollojmë nishanet dhe lezionet e dyshimta në lëkurë përpara frekuentimit të plazheve dhe pishinave. Pra, t’i drejtohemi mjekëve dermatologë për të bërë një kontroll të lëkurës sonë përpara se të frekuentojmë plazhet dhe pishinat. Në këtë mënyrë, ne mund të detektojmë sa më herët kancerin e lëkurës ose melanomën”, sqaroi ajo.

Sipas mjekes, veshjet e lehta me ngjyra të çelëta, kapelet dhe syzet e diellit janë barriera të domosdoshme ndaj rrezeve të dëmshme, ku vëmendja më e madhe duhet treguar ndaj fëmijëve dhe personave me lëkurë të çelur.