Në vend që të merrte dhurata për ditëlindjen e saj, Beyoncé vendosi të bënte një të tillë. Këngëtarja amerikane ka dhuruar 2 milionë dollarë për muzeun Studio në Harlem, Nju Jork, në kuadër të 45-vjetorit të lindjes.
“Arti rrëfen të gjitha historitë tona, të së shkuarës dhe të së tashmes, por nuk është gjithmonë i aksesueshëm për të gjithë”, u shpreh Beyoncé në një deklaratë të publikuar nga Parkwood Entertainment, kompania e saj e prodhimit muzikor dhe argëtimit.
“Përmes ekspozitave të muzeut kam njohur disa prej artistëve të mi të rinj të preferuar, artistë me ngjyrë që janë në fillimet e karrierës së tyre. Është një hapësirë frymëzuese, ku publiku mund të zbulojë histori të reja përmes veprave të artistëve të ndryshëm, të cilët pasqyrojnë humanizmin tonë”, tha ajo.
I themeluar në vitin 1968, muzeu Studio në Harlem i kushtohet artit të krijuar nga artistë afro-amerikanë, pjesëtarë të diasporës afrikane dhe artistë nga kontinenti afrikan. Institucioni mbledh, ruan dhe prezanton vepra që pasqyrojnë përvojat dhe historitë e këtyre komuniteteve.
Dhurimi i Beyoncé-s u mirëprit nga Thelma Golden, drejtoreshë e Fondacionit Ford dhe kuratore kryesore e muzeut Studio.
“Jam thellësisht mirënjohëse ndaj Beyoncé-s, si për bujarinë e këtij dhurimi, veçanërisht pasi e bëri pikërisht në ditëlindjen e saj, ashtu edhe për vlerësimin që i jep rolit jetik që muzeu Studio luan në jetën e njerëzve”, deklaroi Golden.
Ajo shtoi se kontributi do t’i mundësojë muzeut të vazhdojë punën në mbështetje të banorëve të Harlem-it, njujorkezëve dhe publikut në mbarë botën.