Këngëtarja Arsi Bako është shpallur fituese e edicionit të rikthyer të Festivalit të Pranverës, duke rrëmbyer trofeun e madh me këngën “Humb”. Pas një nate të mbushur me emocione, performanca artistike dhe konkurrencë të fortë, Bako arriti të bindë jurinë dhe publikun, duke siguruar gjithashtu një vend të garantuar në Festivalin e 65-të të Këngës në RTSH, që do të mbahet në fund të vitit.
Festivali, i cili u rikthye pas më shumë se dy dekadash mungesë, u zhvillua në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, duke sjellë një atmosferë nostalgjike të ndërthurur me energjinë e artistëve të rinj.
Sipas formulës së votimit, ku 60% e pikëve u përcaktuan nga juria profesionale dhe 40% nga juria digjitale, Arsi Bako grumbulloi 260 pikë, duke lënë pas konkurrentët e tjerë.
Në vendin e dytë u rendit Herva Novaku me këngën “Zemër në dy hap”, e cila mori 242 pikë, ndërsa podiumin e plotësoi grupi Jet me këngën “Në derë do t’i qaj”, që u vlerësua me 174 pikë.
Mbrëmja finale u shoqërua edhe me performanca nga emra të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre Aleksandër Gjoka, Frederik Ndoci, Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa, Jonida Maliqi, Dashnor Diko, Adhurim Demiri dhe Renis Gjoka, të cilët interpretuan disa nga hitet më të dashura të publikut.
Edicioni i këtij viti u realizua nën regjinë e Ermal Becit, me skenografi nga Albi Çifligu dhe skenar të Genc Salihut, ndërsa moderimi iu besua Bleona Qeretit dhe Nik Xhelilajt, të cilët sollën dinamizëm dhe atmosferë festive gjatë gjithë mbrëmjes.
Një nga momentet më të veçanta të natës ishte edhe performanca e Bleona Qeretit, e cila u prit me entuziazëm dhe duartrokitje nga publiku i pranishëm në sallë.
Pas suksesit të këtij rikthimi, organizatorët kanë lënë të kuptohet se Festivali i Pranverës do të vijojë të organizohet edhe në vitet e ardhshme, me synimin për t’u rikthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës shqiptare.
Renditja finale:
- Arsi Bako – “Humb” – 260 pikë
- Herva Novaku – “Zemër në dy hap” – 242 pikë
- Jet – “Në derë do t’i qaj” – 174 pikë
Me këtë fitore, Arsi Bako jo vetëm që rikthen emrin e saj në qendër të vëmendjes së skenës muzikore shqiptare, por siguron edhe një nga biletat më të rëndësishme drejt garës së madhe të fundvitit në RTSH.
Burimi;https://www.instagram.com/arsibako/
Foto;https://www.instagram.com/arsibako/