Alban Skënderaj numëron rreth 100 mijë spektatorë deri më tani me turneun ndërkombëtar “MOTIV”
Alban Skënderaj po shënon një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij me turneun “MOTIV”, i cili ka mbledhur rreth 100 mijë spektatorë që prej nisjes së tij në vitin 2024.
Turneu, i cili konsiderohet si turneu i parë ndërkombëtar i një artisti solo shqiptar, ka çuar muzikën shqiptare në disa prej arenave më të njohura të Europës. Projekti u hap në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, para rreth 25 mijë personave.
“MOTIV” ka ndalur me katër net radhazi në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa më pas është prezantuar në Unipol Forum në Milano, Hammersmith Apollo në Londër, Porsche Arena në Stuttgart, Galatsi Olympic Hall në Athinë, THE HALL në Zyrih dhe pritet të vijojë së shpejti në Annexet Arena në Stokholm.

Ndryshe nga koncertet e zakonshme të artistëve shqiptarë jashtë vendit, turneu i Skënderajt është realizuar me të njëjtin koncept artistik në çdo ndalesë. Sipas të dhënave të projektit, në produksion janë angazhuar rreth 70 persona, 25 instrumentistë dhe një repertor prej afro tre orësh muzikë live.
Në qendër të suksesit të “MOTIV” qëndron repertori i gjatë i Alban Skënderajt, i ndërtuar përgjatë më shumë se dy dekadave. Këngëtari është njëkohësisht interpretues, kantautor dhe kompozitor i shumë prej këngëve të tij, duke ruajtur një identitet të qartë artistik ndër vite.

Turneu është kthyer edhe në një pikë takimi për shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të Europës. Mijëra fansa kanë udhëtuar nga qytete dhe shtete të ndryshme për të ndarë të njëjtën përvojë muzikore dhe për të kënduar bashkë këngët që i kanë shoqëruar ndër vite.
“MOTIV” ka krijuar një kulturë të re koncertesh për publikun shqiptar, ku spektatorët nuk presin vetëm artistin në qytetin e tyre, por udhëtojnë drejt skenës dhe e trajtojnë koncertin si një ngjarje të veçantë.