Blendi Salaj rrëfen për frikën nga vdekja dhe humbjen e nënës: “Dhimbja nuk ikën, vetëm mpihet”
Gazetari Blendi Salaj ka ndarë një nga rrëfimet më personale gjatë një interviste në podcastin e Grida Dumës, ku foli hapur për raportin e tij me vdekjen, humbjen e nënës dhe ndikimin që këto përvoja kanë pasur në jetën e tij.
Salaj tregoi se me kalimin e viteve ka arritur të krijojë një qasje më të qetë ndaj idesë së vdekjes, ndryshe nga periudha e fëmijërisë kur kjo temë e trembte shumë. Ai kujtoi një moment të hershëm, kur një mësuese i kishte thënë se pas vdekjes nuk ka asgjë, gjë që për të ishte e papranueshme.
“E kam më të mirë tani sesa më përpara. Më trembte shumë. Nuk mund ta pranoja që gjithë ajo dashuri të zhdukej,” u shpreh ai.
Sipas gazetarit, përjetimet personale e kanë ndihmuar të reflektojë më thellë dhe të pranojë fundësinë e jetës. Ai theksoi se vdekja është e pashmangshme për të gjithë dhe se thelbësore mbetet mënyra se si jetojmë të tashmen.
“Nuk e kam frikë, sepse e di që do të vijë për të gjithë. Askush nuk del i gjallë nga kjo jetë. E rëndësishme është çfarë bëjmë tani, si jetojmë sot,” tha Salaj.
Një pjesë shumë emocionale e intervistës lidhej me ndarjen nga jeta të nënës së tij, për të cilën ai foli me shumë ndjenjë dhe mall. Ai pranoi se dhimbja e humbjes nuk largohet kurrë plotësisht, por me kalimin e kohës bëhet më e përballueshme.
“Kam përcjellë nënën time… Më mungon shumë. E kam dash shumë dhe më ka dash jashtëzakonisht. Jo, nuk ikën asnjëherë… mpihet. Mbetet deri në fund,” u shpreh ai.
Një tjetër moment prekës ishte lidhur me lindjen e vajzës së tij, e cila erdhi në jetë vetëm pak muaj pas humbjes së nënës. Salaj tregoi se ndjen keqardhje që ato nuk u takuan kurrë, por gjen ngushëllim në faktin që e ëma ishte në dijeni për ardhjen e fëmijës.
“Ajo e dinte që ne prisnim fëmijën e dytë… më vjen keq që s’u takuan, por mirë më vjen që ajo e dinte që e priste,” rrëfeu ai.
Në përfundim, gazetari theksoi se mënyra më e mirë për të përballuar humbjen është të vazhdosh jetën dhe të jetosh në mënyrën që do të donin njerëzit e dashur që nuk janë më.
“Unë jetoj ashtu siç mendoj se ajo do donte që unë të jetoja… të vazhdoj, të bëj gjërat që më pëlqejnë,” përfundoi Salaj, duke lënë një mesazh të fortë reflektimi mbi jetën, dashurinë dhe përballjen me humbjen.
Burimi;https://www.youtube.com/watch?v=f2flcbeWC6M
Foto;https://www.instagram.com/blendisalaj/?hl=en