Reality show “Ferma VIP” vijon të sjellë jo vetëm konkurrencë, por edhe histori të forta personale që prekin publikun. Së fundmi, këngëtarja Gresa Sekiraqa ka ndarë një nga momentet më të vështira të jetës së saj, duke rrëfyer betejën e të atit me kancerin.
Gjatë një bisede emocionale, ajo kujtoi kohën kur ishte vetëm 19 vjeçe dhe mori lajmin tronditës nga mjekët, të cilët i kishin dhënë babait të saj vetëm pak muaj jetë.
“Më thanë që nuk do të ketë më shumë se tre muaj jetë. Unë isha vetëm 19 vjeçe. Duhej të bëhesha e fortë, por nuk mundesha. Momentet më të vështira kanë qenë kur babi mendonte se po vdiste dhe sillej keq me mua. Dilja jashtë që të mos më shihnin duke qarë,” rrëfeu ajo mes emocionesh.
Gresa tregoi edhe një moment shumë personal, kur në përpjekje për të përballuar situatën, preu flokët e babait dhe më pas edhe të sajat, si një akt simbolik për forcë dhe përballje me realitetin e vështirë.
Megjithatë, historia e saj nuk përfundon me dhimbje. Sot, babai i saj gëzon shëndet të mirë, një fakt që ajo e konsideron si dhuratën më të madhe në jetën e saj.
“Babi im e shijon jetën. Dhuratën më të madhe në jetë e kam që e kam babë,” u shpreh këngëtarja.
Rrëfimi i Gresës është pritur me shumë emocione nga publiku, duke sjellë në vëmendje një anë më njerëzore dhe të ndjeshme të personazheve që janë pjesë e “Ferma VIP”.
Burimi; https://www.instagram.com/gresa.sekiraqa/?hl=en
Foto; https://www.instagram.com/gresa.sekiraqa/?hl=en