Home Business / Technology SHBA ngre alarmin për Inteligjencën Artificiale: Akuza të forta ndaj Kinës për “vjedhje teknologjie”
SHBA ngre alarmin për Inteligjencën Artificiale: Akuza të forta ndaj Kinës për “vjedhje teknologjie”
0

SHBA ngre alarmin për Inteligjencën Artificiale: Akuza të forta ndaj Kinës për “vjedhje teknologjie”

0
0

Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar përpjekjet për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Kinës në fushën e Inteligjencës Artificiale, duke nisur një fushatë të gjerë informimi në nivel ndërkombëtar.

Në qendër të akuzave është kompania kineze DeepSeek, një startup që tërhoqi vëmendjen globale vitin e kaluar me një model të avancuar AI. Sipas autoriteteve amerikane, kjo kompani dyshohet se ka përdorur teknikën e njohur si “distilim”, përmes së cilës modelet trajnohen duke shfrytëzuar të dhëna dhe rezultate të prodhuara nga sistemet e zhvilluara në SHBA.

Zyrtarët në Uashington e cilësojnë këtë jo si konkurrencë të zakonshme, por si një rrjedhje të paligjshme të teknologjisë, duke theksuar se zhvillimi i këtyre sistemeve ka kushtuar miliarda dollarë investime për laboratorët amerikanë.

Përveç DeepSeek, edhe kompani të tjera kineze si “Moonshot AI” dhe “MiniMax” janë përfshirë në listën e zezë të Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit, duke rritur tensionet në një sektor që po konsiderohet gjithnjë e më shumë strategjik.

Situata është bërë edhe më e ndërlikuar pas prezantimit nga DeepSeek të një modeli të ri të optimizuar për çipat e kompanisë “Huawei”, një zhvillim që tregon përpjekjet e Kinës për të arritur pavarësi të plotë teknologjike, pavarësisht sanksioneve amerikane.

Nga ana tjetër, Ambasada kineze në Uashington i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si “të pabaza” dhe duke theksuar se Kina respekton dhe mbron të drejtat e pronësisë intelektuale.

Megjithatë, SHBA po u bën thirrje aleatëve të saj ndërkombëtarë të tregohen vigjilentë ndaj përdorimit të teknologjive kineze të Inteligjencës Artificiale, duke paralajmëruar për rreziqe të mundshme që lidhen me sigurinë dhe origjinën e këtyre sistemeve.

Përplasja mes dy fuqive të mëdha për dominimin në fushën e AI duket se po hyn në një fazë të re, me pasoja që mund të ndikojnë jo vetëm industrinë teknologjike, por edhe balancat globale.