Studimi: Raportimet për materiale të abuzimit seksual me fëmijë të krijuara me IA u rritën mbi 8,400%
Një studim ndërkombëtar i Institutit Childlight, pranë Universitetit të Edinburgut, paralajmëron për rritjen e raportimeve të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë të krijuara përmes inteligjencës artificiale.
Sipas të dhënave të cituara nga Kryefjala, raportimet e kompanive amerikane në Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar janë rritur nga rreth 4,700 në vitin 2023 në mbi 400 mijë në vitin 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej më shumë se 8,400%. Shifrat lidhen me raportimet dhe nuk përcaktojnë numrin e fëmijëve të prekur.
Studiuesit tërheqin vëmendjen te imazhet dhe videot e manipuluara, të njohura si “deepfake”. Edhe kur pamjet nuk dokumentojnë ngjarje reale, ato mund të shkaktojnë dëme konkrete dhe të përdoren për shantazh, zhvatje apo presion ndaj të miturve.
Studimi evidenton gjithashtu mungesa të mëdha në mbledhjen e të dhënave. Nga 103 vende të analizuara në tre rajone, vetëm 22 kishin të dhëna gjithëpërfshirëse për abuzimin ndaj fëmijëve në internet dhe jashtë tij.
Sipas Childlight, në statistikat publike mbeten veçanërisht të nënpërfaqësuar fëmijët me aftësi të kufizuara, migrantët, fëmijët indigjenë dhe ata nën kujdesin e shërbimeve sociale.
Kërkuesit bëjnë thirrje për mbrojtje më të mirë të të miturve, përgjegjësi të platformave digjitale dhe ndërhyrje institucionale për parandalimin e shfrytëzimit seksual të lehtësuar nga teknologjia.