“Ishte e dhimbshme ta shihja duke vdekur”, Kris Jenner rrëqeth me rrëfimin për humbjen e nënës
Kris Jenner ka treguar se përjetimi i humbjes së nënës së saj, Mary Jo Shannon, ka qenë një nga momentet më të dhimbshme të jetës së saj.
Në një sekuencë të publikuar paraprakisht nga episodi i së enjtes, 19 nëntor, i reality show-t “The Kardashians”, familja Kardashian-Jenner shfaqet e mbledhur për të festuar ditëlindjen e katërt të Tatum, djalit të Khloe Kardashian. Gjatë bisedës, ato kujtojnë gjyshen Mary Jo, e cila ndërroi jetë më 16 korrik.
E pyetur nga vajza e saj, Kourtney Kardashian, se si po e përballon humbjen, 71-vjeçarja Kris Jenner u shpreh se mëngjeset janë veçanërisht të vështira, por se me kalimin e ditës arrin ta përballojë disi më mirë dhimbjen.
“Është gjithmonë e vështirë në mëngjes. Por deri pasdite ndihem sikur mund të marr frymë… Mendoj se ishte shumë e dhimbshme ta shihja teksa po vdiste”, rrëfeu ajo.
Khloe Kardashian tregoi më pas se gjyshja e saj ndërroi jetë vetëm pak kohë pasi ishte shtruar në spital. “Vetëm 48 orë pas shtrimit në spital, ajo ndërroi jetë”, tha Khloe.
Në një tjetër moment të emisionit, Kim Kardashian nuk arriti t’i mbante lotët teksa fliste për humbjen e gjyshes. “MJ, ti gjithmonë besoje se do të jetoje përgjithmonë. Do të qaj, por edhe unë gjithmonë kam menduar se gjyshja ime do të jetonte përgjithmonë”, u shpreh ajo.
Kris Jenner njoftoi ndarjen nga jeta të nënës së saj më 16 korrik, përmes një postimi në Instagram. Disa ditë më vonë u bë e ditur se shkaku i vdekjes ishte arresti kardiak, ndërsa në dokumentet zyrtare përmendeshin edhe insuficienca akute e frymëmarrjes dhe kanceri metastatik i mushkërive si faktorë që ndikuan në përkeqësimin e gjendjes së saj.