Mundësitë që një person të ketë diabet të tipit 2 rriten nëse ai konsumon të paktën dy herë në javë mish të kuq.
Zëvendësimi i mishit të kuq me alternativa bimore si frutat e thata dhe bishtajoret mund të reduktojë shanset për diabet të tipit 2, ul çlirimin e gazeve serë dhe ndihmon në luftën ndaj ngrohjes globale, janë shprehur kërkuesit e Universitetit të Harvardit.
Studimet e mëparshme kanë treguar një lidhje mes mishit të kuq dhe diabetit të tipit 2, por studimi i ri shton besueshmërinë dhe peshën e këtij zbulimi.
Në studimin e publikuar në “American Journal of Clinical Nutrition”, studiuesit kanë vëzhguar të dhënat shëndetësore të 216,695 personave. Atyre iu kërkohej të plotësonin formularë për dietën e tyre çdo 2-4 vjet për 36 vite. Gjatë kësaj periudhe, më shumë se 22.000 persona u prekën nga diabeti.
Ata që konsumonin më shumë mish të kuq kishin 62% më shumë rrezik krahasuar me ata që e përfshinin më pak në dietë.
Studimi tregon se çdo racion i shtuar ditor i mishit të kuq të përpunuar lidhet me 46% më shumë mundësi për t’u prekur nga diabeti i tipit 2. Për mishin e kuq të papërpunuar, shifra është 24%.
Vlerësimi i efekteve potenciale me zëvendësimin e një racioni mishi të kuq me një tjetër burim proteinash si frutat e thata apo bishtajoret tregonte 30% më pak rrezik për këtë tip diabeti. Zëvendësimi i një racioni me produkte bulmeti e redukton rrezikun me 22%.
Diabeti i tipit 2 është një nga kërcënimet shëndetësore me rritje galopante në të gjithë botën. Sipas OBSH, prevalenca e tij është rritur ndjeshëm në 3 dekadat e fundit. Më shumë se 400 milionë njerëz janë diagnostikuar, por shifra mendohet të jetë edhe më e madhe.
Linku: https://www.nus.edu.sg/uhc/resources/articles/details/does-red-meat-cause-diabetes
Foto: Freepik.com