
Mendimet e tepërta ose siç njihen ndryshe overthinking — mund të duken si një përpjekje për të zgjidhur problemet apo për të kuptuar më mirë situatat, por në realitet ato shpesh sjellin pasoja negative, si për shëndetin mendor ashtu edhe për mirëqenien fizike. Ja disa nga pasojat kryesore:
1. Ankthi dhe stresi i vazhdueshëm.
Kur mendon pa pushim për të shkuarën apo për të ardhmen, mendja ngec në një cikël pa fund. Kjo nxit prodhimin e kortizolit (hormoni i stresit), duke rritur ndjesinë e ankthit dhe tensionit.
2. Vendimmarrje e vështirësuar.
Mendimi i tepërt shpesh shoqërohet me analizë të tepruar (analysis paralysis), ku një person ngec në detaje dhe nuk është në gjendje të marrë një vendim të thjeshtë. Çdo mundësi duket e rrezikshme dhe asnjë zgjedhje nuk duket “e duhur”.
3. Dëmtim i marrëdhënieve.
Kur mendon shumë për fjalët ose veprimet e dikujt, fillon të interpretohesh situatat negativisht apo të krijosh dyshime të pabazuara. Kjo shkakton keqkuptime, pasiguri dhe ndarje emocionale në raportet ndërpersonale.
4. Ulje e vetëbesimit.
Overthinking shpesh shoqërohet me vetëkritikë të ashpër dhe rikthim të situatave ku “mund të kishe vepruar më mirë”. Me kalimin e kohës, kjo dëmton ndjeshëm mënyrën si e sheh veten dhe krijon ndjesinë se nuk je “kurrë mjaftueshëm i mirë”.
5. Probleme me gjumin.
Mendimet që nuk pushojnë as natën, bëhen pengesë për një gjumë të qetë. Mendja vazhdon të “punojë”, duke të mbajtur zgjuar ose duke shkaktuar ëndrra të shqetësuara.
6. Rënie e fokusit dhe produktivitetit.
Kur truri merret me mendime të vazhdueshme dhe të pafundme, është më e vështirë të përqendrohesh te detyrat konkrete. Kjo ndikon në uljen e performancës në punë apo në studime.
7. Rritje e simptomave depresive
Mendimi i tepërt, sidomos kur është i përqendruar te e kaluara apo gabimet, lidhet ngushtë me rënien e humorit dhe rrezikun e zhvillimit të depresionit. Mendja fillon të shohë gjithçka në dritë negative.
Linku: https://www.psychologytoday.com/us
Burimi i fotos: pexel.com