Në zemër të Vjenës, vetëm pak hapa larg atraksioneve më të frekuentuara të qytetit, ndodhet një muze i veçantë që ruan historinë e mënyrës se si njerëzit e kanë kuptuar dhe përfytyruar botën: Muzeu i Globeve.
I vendosur në Palais Mollard, një pallat i shekullit XVII, Muzeu i Globeve konsiderohet i vetmi muze publik në botë i dedikuar tërësisht globeve. Ai ekspozon mbi 220 globe të rralla dhe antike, shumica prej tyre të krijuara para vitit 1850.
Koleksioni përfshin globe tokësore dhe qiellore, nga globe të mëdha monumentale deri te modele të vogla që palosen e mund të mbahen në xhep. Përmes tyre, vizitorët mund të shohin se si ka ndryshuar njohuria njerëzore për Tokën, oqeanet, kontinentet dhe hapësirën qiellore.
Drejtori i muzeut, Nikolaus Schobesberger, thotë se globet pasqyrojnë ndryshimet në imagjinatën dhe perceptimin që njerëzit kanë pasur për planetin ndër vite.
“Globet tregojnë ndryshimin në mënyrën se si e kemi imagjinuar planetin tonë. Ky është i vetmi vend në botë ku mund të shihen kaq shumë prej tyre në të njëjtën kohë”, shprehet ai.
Vizita nis në të ashtuquajturin “Kabineti i Artë”, një sallë e dekoruar me afreske të vjetra nga mitologjia greke. Aty gjenden edhe instrumente të lidhura me globet, si telluriumet, që shpjegojnë lëvizjen e Tokës rreth Diellit, si dhe sferat armilare, të krijuara për të paraqitur lëvizjet e trupave qiellorë.
Ndër objektet më të veçanta janë dy globe të krijuara nga i njëjti mjeshtër në mesin e viteve 1500: njëri paraqet Tokën, ndërsa tjetri qiellin. Në globin tokësor, Europa, Mesdheu dhe brigjet e Afrikës shfaqen me emërtime të shumta, ndërsa Amerika e Veriut mbetet pjesërisht e paqartë drejt Arktikut.
Azia shfaqet e deformuar, Australia dhe Antarktida zëvendësohen nga ideja e një kontinenti të madh jugor, ndërsa në Oqeanin Paqësor shfaqen përbindësha deti në vend të ishujve. Në globin qiellor, vëzhgimet astronomike të Rilindjes ndërthuren me figura mitologjike si Pegasi, Perseu dhe Meduza.
Muzeu i Globeve nuk është vetëm një hapësirë për gjeografi, por një udhëtim në historinë e kureshtjes njerëzore dhe në mënyrën se si bota ka marrë formë, pak nga pak, në sytë e njerëzve.
Burimi;https://www.bbc.com/travel/article/20260828-the-museum-charting-how-humans-understand-the-world
Foto; Freepik.com