Bota e muzikës së xhazit është në zi pas ndarjes nga jeta të këngëtares amerikane Cassandra Wilson, fituese e dy çmimeve Grammy. Artistja ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesi i saj, Robert Torre, i cili njoftoi se Wilson u nda nga jeta paqësisht më 2 shtator, në shtëpinë e saj në Jackson, Mississippi, e rrethuar nga familjarët, miqtë e ngushtë dhe menaxheri i saj.
“Cassandra Wilson u nda nga jeta paqësisht, në shtëpinë e saj, e rrethuar nga familja, miqtë e ngushtë dhe menaxheri i saj”, u shpreh ai, duke e cilësuar artisten si një figurë legjendare të xhazit.
Shkaqet e vdekjes nuk janë bërë publike, ndërsa familja ka kërkuar që privatësia e saj të respektohet në këtë periudhë të vështirë.
Cassandra Wilson la pas një karrierë të gjatë dhe të suksesshme si këngëtare, kompozitore dhe producente. Ajo u dallua veçanërisht për zërin e saj të thellë, ekspresiv dhe karakteristik të kontraltos, që e bëri një prej emrave më të veçantë të xhazit amerikan.