Selena Gomez ka ndarë me fansat një rrëfim personal, duke zbuluar se përdorimi i shpeshtë i cigareve elektronike me nikotinë ka ndikuar në zërin e saj. Këngëtarja 34-vjeçare foli hapur për këtë çështje përmes një postimi në Instagram Stories, të dielën, më 18 tetor, duke paralajmëruar ndjekësit për pasojat e këtij zakoni.

“Kam përdorur shumë cigare elektronike me nikotinë. Nikotina është shumë e vështirë për t’u lënë dhe doja thjesht të thoja se, nëse po e përjetoni këtë ose po mendoni të përdorni cigare elektronike, nuk ia vlen”, u shpreh ajo.

Gomez theksoi se nikotina i ka ndryshuar zërin, duke reaguar edhe me humor ndaj komenteve të mundshme të publikut.

“Është kaq e kotë. Ma ka ndryshuar zërin. Nëse nuk ju pëlqen ta dëgjoni zërin tim, është e kuptueshme. Thjesht mos më dëgjoni”.

Artistja pranoi se heqja dorë nga nikotina ka qenë një proces shumë i vështirë, por shpreson të vazhdojë pa u kthyer te ky zakon. Ajo u përcolli gjithashtu një mesazh inkurajues fansave që po përballen me vështirësi.

“Nëse po kaloni diçka të vështirë, edhe ju mund t’ia dilni”.

Ndryshimet në zërin e saj kanë qenë më parë objekt pyetjesh nga fansat. Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Instagram, në dhjetor, Gomez shpjegoi se ndonjëherë i fryhet fyti nga brenda.

Këngëtarja ka folur edhe më parë hapur për sfidat e saj shëndetësore, përfshirë diagnozat e lupusit dhe çrregullimit bipolar. Në një intervistë për revistën People, në shtator, ajo u shpreh se e mirëpret plakjen dhe ndryshimet që vijnë me të.

“Të plakesh ka qenë shumë bukur. Nuk kam aspak frikë. Më pëlqen të plakem. Po, gjërat do të ndryshojnë dhe trupi do të pësojë ndryshime, por ti je gjallë. Mendoj se, në shumë mënyra, mosha është thjesht një numër.”