Kur është mirë të qeshësh me veten? Studimi tregon si të menaxhosh situatat e sikletshme pa dëmtuar reputacionin
Një moment i sikletshëm në publik nuk duhet domosdoshmërisht të dëmtojë mënyrën si të tjerët të perceptojnë, për sa kohë që di ta menaxhosh siç duhet. Një artikull i publikuar në Psychology Today sjell në vëmendje gjetjet e një studimi të ri, i cili tregon se të qeshurit me veten mund të jetë çelësi për të kaluar me sukses situata të tilla.
Situatat e sikletshme janë pjesë e përditshmërisë, si p.sh. të pengohesh në publik, të derdhësh diçka apo të ngatërrosh emrin e dikujt. Në këto momente, njerëzit shpesh përballen me dilemën nëse duhet ta injorojnë situatën, të shfaqin turp apo të bëjnë humor me veten. Sipas studiuesve nga Universiteti Vrije i Amsterdamit, përgjigjja më e mirë në shumë raste është pikërisht kjo e fundit.
Sipas kërkimit, të qeshurit me veten funksionon kur plotësohen dy kushte: kur personi e kupton që ka bërë një gabim social dhe kur ai gabim nuk ka shkaktuar dëm për të tjerët. Në këto raste, reagimi me humor jo vetëm që ul tensionin, por gjithashtu e bën personin të duket më i ngrohtë, autentik dhe i sigurt në vetvete.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo qasje nuk funksionon gjithmonë. Nëse gabimi yt shkakton dëm tek dikush tjetër, të qeshurit mund të interpretohet si mungesë ndjeshmërie. Njerëzit priren të reagojnë negativisht kur emocioni i shfaqur nuk përputhet me pasojat e veprimit, duke dëmtuar kështu reputacionin e personit.
Studimi, i cili përfshiu mbi 3200 pjesëmarrës në gjashtë eksperimente të ndryshme, tregoi se individët që reagojnë me humor ndaj gabimeve të vogla perceptohen më pozitivisht nga të tjerët. Ata vlerësohen si më të afërt dhe më të besueshëm, pasi tregojnë se nuk e marrin veten shumë seriozisht dhe pranojnë papërsosmëritë e tyre.
Në thelb, të qeshurit me veten jo vetëm që ndihmon në kalimin e një momenti të sikletshëm, por mund të forcojë edhe marrëdhëniet me të tjerët. Për sa kohë që situata është e padëmshme, humori shndërrohet në një mjet të fuqishëm për të ruajtur dhe madje për të përmirësuar imazhin personal.
Burimi: https://www.psychologytoday.com/us/blog/fulfillment-at-any-age/202603/when-is-it-good-to-be-able-to-laugh-at-yourself
Foto: Freepik.com