Sipas informacioneve të bëra publike në emisionin “Çasti i Duhur”, prezantues të Festivalit të Pranverës do të jenë këngëtarja me famë ndërkombëtare Bleona Qereti dhe aktori i njohur Nik Xhelilaj.
Lajmi është konfirmuar nga moderatorja Fjodora Fjora, e cila ka zbuluar se dyshja do të ngjitet në skenën e festivalit që rikthehet pas më shumë se dy dekadash në RTSH.
“Konfirmojmë dy prezantuesit e Festivalit të Pranverës, i cili rikthehet pas 22 vitesh në ekranin e RTSH-së: Bleona Qereti dhe Nik Xhelilaj. Urime këtij dueti fantastik që mezi presim ta shohim në skenë”, është shprehur ajo.
Festivali do të mbahet më 6 dhe 7 qershor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku do të performojnë 20 artistë me interpretime live. Organizatorët premtojnë një ndërthurje mes muzikës tradicionale shqiptare dhe elementeve moderne skenike.
Ndërkohë, Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe bendi muzikor kanë nisur prej ditësh provat intensive për netët e festivalit.
Rikthimi i Festivalit të Pranverës ka ngjallur nostalgji dhe pritshmëri të larta te publiku, ndërsa përzgjedhja e Bleona Qeretit dhe Nik Xhelilajt si prezantues ka shtuar edhe më shumë kuriozitetin për spektaklin që pritet të rikthejë atmosferën e dikurshme të këtij eventi muzikor.