Ditën e premte, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme, duke sjellë alternime mes kthjellimeve dhe vranësirave në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë orëve të para të ditës moti do të paraqitet kryesisht i kthjellët, ndërsa herë pas here do të ketë shtim të vranësirave, të cilat në disa zona pritet të arrijnë deri në intensitet mesatar.
Reshjet e shiut parashikohet të shfaqen kryesisht nga mesdita deri në orët e pasdites. Ato do të jenë me intensitet të ulët dhe më të përqendruara përgjatë zonave kodrinore dhe malore të vendit. Meteorologët bëjnë me dije se reshjet do të jenë të përkohshme dhe nuk pritet të sjellin problematika, ndërsa pas orëve të pasdites moti pritet të përmirësohet gradualisht me ndërprerje të reshjeve në të gjithë territorin.
Ndërkohë, era do të fryjë me drejtim nga veriperëndimi në verilindje me një shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në vijën bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të jetë më intensive, duke arritur shpejtësi deri në 17 m/s.
Sa i përket kushteve detare, në detin Adriatik dhe atë Jon parashikohet valëzim i forcës 2 deri në 4 ballë, duke krijuar kushte relativisht të favorshme për lundrim, megjithëse rekomandohet kujdes për mjetet e vogla detare gjatë intervaleve me erë më të fortë.
Burimi; https://meteoalb.com/
Foto;Freepik.com