Në kulturën moderne të vetëndihmës, “mbimendimi” shpesh konsiderohet një dobësi. Njerëzit këshillohen të mos analizojnë shumë, të mos ndalen te detajet dhe të veprojnë më spontanisht.
Por sipas psikologëve, jo çdo formë e të menduarit të thelluar është negative. Në fakt, disa zakone që duken si “overthinking” mund të jenë shenjë e inteligjencës së lartë emocionale.
Inteligjenca emocionale lidhet me aftësinë për të kuptuar, menaxhuar dhe reaguar ndaj emocioneve tona dhe të të tjerëve. Personat me këtë aftësi zakonisht analizojnë më shumë situatat sociale dhe mënyrën si ndikojnë tek njerëzit përreth. Sipas një artikulli të publikuar në Psychology Today, ekzistojnë tre zakone që shpesh keqkuptohen si mbimendim, por që në të vërtetë tregojnë pjekuri emocionale.
Rikthimi mendërisht te bisedat e kaluara
Shumë njerëz kanë zakon të rikujtojnë bisedat pasi ato kanë përfunduar, duke analizuar tonin, fjalët apo mënyrën si janë shprehur.
Edhe pse kjo mund të duket si analizë e tepërt, psikologët shpjegojnë se ky reflektim ndihmon në kuptimin më të mirë të emocioneve dhe reagimeve të të tjerëve. Ky proces lidhet me atë që quhet “vlerësim emocional”, pra aftësia për të interpretuar sinjalet emocionale si toni i zërit, mimika apo konteksti i një situate. Sipas ekspertëve, kjo aftësi ndihmon në zhvillimin e empatisë dhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndërpersonale.
Megjithatë, psikologët bëjnë dallimin mes reflektimit të shëndetshëm dhe “ruminimit” negativ. Ndërsa ruminimi është mendim i përsëritur që nuk sjell zgjidhje, reflektimi ndihmon individin të mësojë nga përvoja.
Të mendosh shumë për vendimet dhe ndikimin tek të tjerët
Një tjetër zakon që shpesh etiketohet si “mbimendim” është tendenca për të analizuar si mund të ndikojnë veprimet tona tek njerëzit e tjerë.
Personat me inteligjencë emocionale të lartë zakonisht marrin kohë për të menduar se si një vendim apo reagim mund të ndikojë tek partneri, familja, miqtë apo kolegët.
Ata shpesh imagjinojnë skenarë të ndryshëm përpara se të reagojnë, sidomos në situata delikate apo konflikte. Psikologët e lidhin këtë sjellje me aftësinë për të parë situatat nga perspektiva e tjetrit, një element kyç për empatinë dhe bashkëpunimin social.
Nga jashtë, kjo mund të duket si hezitim apo kujdes i tepërt, por në realitet është një mënyrë më e vetëdijshme dhe më humane për të marrë vendime.
Analizimi i emocioneve personale
Një tjetër shenjë e inteligjencës emocionale është aftësia për të analizuar reagimet tona emocionale.
Për shembull, dikush mund të ndalojë dhe të pyesë veten pse ndihet nervoz, i tensionuar apo i irrituar në një situatë të caktuar.
Në vend që t’i injorojnë emocionet, njerëzit me inteligjencë emocionale përpiqen t’i kuptojnë ato: a lidhen me stresin, me një keqkuptim apo me një problem më të thellë? Psikologët e quajnë këtë proces “etiketim emocional”, pra aftësinë për të identifikuar dhe emërtuar emocionet.
Studimet tregojnë se kur njerëzit arrijnë të emërtojnë emocionet që po përjetojnë, intensiteti i tyre zvogëlohet dhe ato bëhen më të lehta për t’u menaxhuar. Sipas ekspertëve, kjo lloj introspektive nuk është dobësi, por një tregues i fortë i pjekurisë psikologjike dhe kontrollit emocional.
Burimi;
Foto;