“Deletë e zezë” brenda grupit? Pse njerëzit gjykohen më ashpër nga të tyret sesa nga të huajt
Një artikull i publikuar së fundmi në Psychology Today ka rikthyer në vëmendje një fenomen të njohur në psikologji sociale, i quajtur “Black Sheep Effect” ose efekti i “deletës së zezë”, që shpjegon pse njerëzit shpesh përballen me gjykime më të ashpra nga grupi i tyre sesa nga të huajt.
Sipas psikologut klinik Lawrence Ian Reed, shumë individë ndihen të detyruar të fshehin bindjet apo mendimet personale, nga frika se mos refuzohen nga komuniteti apo grupi ku bëjnë pjesë.
Artikulli sjell shembullin e një studenti afro-amerikan, i cili u bind nga bashkëmoshatarët të firmoste një peticion për strehim të ndarë sipas racës në universitet, edhe pse nuk ishte dakord me idenë. Ai e nënshkroi vetëm nga presioni i grupit dhe më vonë pranoi se ishte ndjerë i lehtësuar kur universiteti e refuzoi propozimin.
Sipas studimeve të cituara, njerëzit që shprehin mendime ndryshe nga grupi i tyre konsiderohen më shumë si “tradhtarë” sesa ata që janë jashtë grupit dhe mbajnë të njëjtat qëndrime.
Psikologët shpjegojnë se kjo sjellje lidhet me mënyrën sesi njerëzit kanë evoluar ndër shekuj. Në komunitetet e vogla të dikurshme, mbijetesa varej nga besnikëria ndaj grupit dhe një person që dilte kundër grupit shihej si kërcënim më i madh sesa një kundërshtar i jashtëm.
Artikulli ndalet edhe te pasojat emocionale që sjell ky presion social. Shumë individë përjetojnë një “double bind”, pra një konflikt të brendshëm mes dëshirës për të qenë vetvetja dhe nevojës për t’u pranuar nga grupi.
Nëse flasin hapur, rrezikojnë të përjashtohen apo gjykohen. Nëse heshtin, ndihen sikur po jetojnë me një version të rremë të vetes.
Ky fenomen lidhet edhe me atë që studiuesit e quajnë “spiralja e heshtjes”, ku njerëzit zgjedhin të mos shprehin bindjet e tyre nga frika e reagimeve negative, duke krijuar përshtypjen e një mendimi unanim, edhe kur shumë persona mendojnë ndryshe.
Sipas ekspertëve, kjo është një sfidë e madhe edhe për terapistët dhe psikologët, të cilët duhet të ndihmojnë individët të shprehen lirshëm pa mohuar frikën reale që vjen nga refuzimi social.
BurimI:https://www.psychologytoday.com/us/blog/open-therapy/202605/why-were-hardest-on-our-own-the-black-sheep-problem
Foto: Freepik.com