Jessica Simpson rrëfen presionin e madh në fillimet e karrierës: “Më kërkuan të humbisja peshë dhe të ndryshoja trupin tim”
Këngëtarja dhe sipërmarrësja amerikane Jessica Simpson ka folur hapur për presionin e madh që përjetoi në fillimet e karrierës së saj muzikore, duke zbuluar se industria e argëtimit i kërkonte vazhdimisht të ndryshonte pamjen fizike për t’iu përshtatur standardeve të kohës.
Gjatë një koncerti të mbajtur së fundmi në Pensilvani, artistja 45-vjeçare kujtoi vitet e para të famës, kur krahasohej vazhdimisht me yjet e muzikës pop, Britney Spears dhe Christina Aguilera. Simpson tregoi se fillimisht mendonte se ishte vlerësuar vetëm për talentin dhe zërin e saj, por realiteti rezultoi krejt ndryshe.
“Vërtet mendoja se kisha nënshkruar kontratë vetëm për zërin tim, por më pas erdhi kërkesa: ‘Duhet të humbësh rreth 15 paund (afërsisht 7 kilogramë)’”, kujtoi ajo. Në atë kohë, Simpson ishte vetëm 17 vjeç dhe peshonte rreth 52 kilogramë.
Sipas artistes, presioni nuk u ndal vetëm te pesha. Kur po punonte për albumin e saj të dytë, “Irresistible”, drejtuesit e industrisë i kërkuan që të kishte edhe bark të tonifikuar dhe një fizik që përputhej me idealet e bukurisë së asaj periudhe.
“Ka pasur kaq shumë gjëra që duhej të isha për të qenë ‘Jessica Simpson’, ose versioni i Jessica Simpson që ata mendonin se do të ishte i suksesshëm. Gjithmonë ndihesha si një dështim, sepse nuk isha kurrë mjaftueshëm e mirë”, u shpreh këngëtarja.
Simpson ka folur edhe më herët për problemet me imazhin e trupit dhe ndikimin që komentet e industrisë patën në vetëvlerësimin e saj. Sot, ajo thotë se është në një fazë më të qetë të jetës, duke u fokusuar te mirëqenia fizike dhe emocionale, si dhe te rikthimi në muzikë pas një periudhe të gjatë larg skenës.
Burimi;https://www.instagram.com/p/DZQl-sJkkzG/?img_index=1
Foto; https://www.instagram.com/p/DZQl-sJkkzG/?img_index=1