Meriton Mjekiqi pa filtra: “Luiz Ejlli është autogol në karrierë”, Ghetto Geasy ‘Messi’ i muzikës shqiptare
Moderatori dhe artisti i njohur Meriton Mjekiqi ka bërë disa deklarata të forta gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Kampionët e Botës” në Tv Klan, ku iu përgjigj një serie pyetjesh të shpejta që lidhnin botën e muzikës me futbollin.
I vendosur përballë sfidës së moderatores Marina Vjollca, Meritoni nuk hezitoi të japë mendimet e tij për emrat më të njohur të industrisë muzikore shqiptare, duke përmendur artistët që sipas tij po dominojnë skenën dhe ata që kanë bërë gabime në karrierë.
Kur u pyet se cili artist po tregon progres më të madh kohët e fundit, ai veçoi Butrint Imerin, duke vlerësuar projektet e tij të fundit muzikore dhe videoklipet.
Ndërkohë, për rivalitetin më të fortë në repin shqiptar, Meritoni përmendi përplasjen mes Butës dhe Mossi-t, duke e cilësuar si “derbin” aktual të skenës.
Deklarata që pritet të shkaktojë më shumë reagime ishte ajo për pyetjen “Autogol në karrierë?”, ku ai u përgjigj shkurt dhe prerë:
“Luiz Ejlli!”
Nga ana tjetër, kur u pyet se kush është “Messi” i muzikës shqiptare për nga performanca dhe ndikimi, Meritoni nuk pati asnjë dyshim:
“Në industrinë e muzikës unë mendoj se është Ghetto Geasy.”
Ai vlerësoi gjithashtu Don Xhonin si “transferimin më të shtrenjtë” të skenës, duke argumentuar se rritja e tij artistike dhe mënyra se si ka ruajtur suksesin e bëjnë një nga fenomenet më të mëdha të viteve të fundit.
Për artisten që po dominon aktualisht tregun muzikor, Meritoni veçoi Taynën, duke e cilësuar si një emër elitar.
“Për momentin është Tayna në formë, elitare. Muzika e saj dëgjohet në të gjithë botën.”
Në fund, i pyetur se kush meriton “Topin e Artë” të muzikës këtë vit, ai riktheu edhe një herë emrin e Ghetto Geasy-t.
“Unë jam pro atyre që i kanë nxjerrë artistët në pah dhe do të them prapë Ghetto Geasy. Më vjen keq që po e them në emisionin tënd, por kështu mendoj.”
Deklaratat e Meriton Mjekiqit kanë nisur menjëherë të komentohen në rrjetet sociale, veçanërisht komenti i tij për Luiz Ejllin, i cili pritet të sjellë reagime nga fansat e këngëtarit.