Home Lifestyle Studimi i ri: Qëllimi që i japim jetës ndikon drejtpërdrejt në lumturinë tonë
Studimi i ri: Qëllimi që i japim jetës ndikon drejtpërdrejt në lumturinë tonë
0

Studimi i ri: Qëllimi që i japim jetës ndikon drejtpërdrejt në lumturinë tonë

0
0

Të kesh një qëllim në jetë lidhet prej kohësh me përfitime të shumta për shëndetin fizik dhe psikologjik. Njerëzit që ndiejnë se jeta e tyre ka drejtim priren të përjetojnë më pak stres, depresion dhe varësi, ndërsa shpesh raportojnë edhe mirëqenie më të lartë.

Por një studim i ri, i publikuar në revistën “Journal of Humanistic Psychology”, tregon se nuk mjafton vetëm të kesh një qëllim. Mënyra se çfarë qëllimi zgjedhim për jetën tonë mund të ndikojë ndjeshëm te niveli i lumturisë.

Studiuesi Steve Taylor dhe ekipi i tij analizuan përgjigjet e 528 personave për të kuptuar llojet e ndryshme të qëllimit në jetë, si edhe lidhjen e tyre me moshën, gjininë dhe lumturinë.

Sipas hulumtimit, ekzistojnë shtatë forma kryesore të qëllimit: mungesa e qëllimit, qëllimi i mbijetesës, ai fetar, qëllimi personal i bazuar te pasuria dhe statusi, qëllimi altruist, zhvillimi personal dhe qëllimi transpersonal ose shpirtëror.

Mungesa e qëllimit nënkupton ndjesinë se jeta nuk ka drejtim, kuptim apo një objektiv të përgjithshëm. Qëllimi i mbijetesës lidhet me nevojat bazë si ushqimi, siguria dhe strehimi. Ndërsa qëllimi personal-akumulues përfshin ndjekjen e pasurisë, suksesit në karrierë, statusit dhe arritjeve.

Në anën tjetër, qëllimi altruist lidhet me dëshirën për të ndihmuar të tjerët dhe për të dhënë kontribut në shoqëri. Qëllimi vetë-zgjerues përfshin rritjen personale, kreativitetin, të mësuarit dhe zhvillimin e potencialit, ndërsa qëllimi transpersonal lidhet me një ndjenjë më të thellë shpirtërore, sikur njeriu është pjesë e diçkaje më të madhe se vetja.

Rezultatet treguan se qëllimi më i përhapur te pjesëmarrësit ishte ai i zhvillimit personal, i ndjekur nga qëllimi altruist. Këto dy forma shpesh shfaqeshin së bashku, ndërsa ndjekja e pasurisë, statusit dhe suksesit rezultoi më e ndarë nga format e tjera të qëllimit.

Studimi zbuloi edhe dallime të dukshme sipas moshës. Të rinjtë, veçanërisht ata nga 18 deri në 24 vjeç, raportuan më shpesh mungesë qëllimi ose fokus te arritjet, karriera dhe pasuria. Me rritjen e moshës, orientimi drejt këtyre objektivave priret të bjerë, ndërsa rritet prirja për qëllime altruiste dhe shpirtërore. Këto të fundit arritën nivelet më të larta te grupmosha 65–74 vjeç.

Sa i përket gjinisë, gratë rezultuan më të orientuara drejt qëllimit transpersonal dhe zhvillimit personal, një gjetje që mund të lidhet edhe me studime të tjera mbi afërsinë më të madhe të grave me spiritualitetin.

Pjesa më domethënëse e studimit lidhet me lumturinë. Personat që nuk ndienin se kishin një qëllim në jetë raportonin nivele dukshëm më të ulëta lumturie. Edhe qëllimi i mbijetesës kishte lidhje negative me mirëqenien, pasi lidhet me përballjen e vazhdueshme me vështirësitë dhe pasigurinë.

Nga ana tjetër, qëllimi transpersonal rezultoi më i lidhuri me lumturinë, ndërsa zhvillimi personal kishte gjithashtu një ndikim pozitiv. Në kontrast, njerëzit që përqendroheshin kryesisht te pasuria, statusi dhe arritjet personale raportonin një nivel më të ulët lumturie.

Studiuesit theksojnë se këto rezultate bien ndesh me bindjen e përhapur se suksesi, karriera dhe të ardhurat janë rruga kryesore drejt lumturisë. Sipas tyre, rritja personale, ndihma ndaj të tjerëve dhe ndjenja e lidhjes me diçka më të madhe se vetja mund të sjellin përfitime më të qëndrueshme emocionale.

Mesazhi kryesor i studimit është se pyetja nuk duhet të jetë vetëm “A ke një qëllim në jetë?”, por “Çfarë lloj qëllimi të udhëheq?”