Një dalje për peshkim me vëllain e vogël i ka sjellë Matthew Maurice një fitore prej 1 milion dollarësh. 26-vjeçari nga Darvini, Australi, kapi një peshk barramundi që mbante etiketën e çmimit të madh të konkursit “Million Dollar Fish”.
Peshku ishte rreth 80 centimetra i gjatë dhe kishte një etiketë të kuqe. Fillimisht, dy vëllezërit nuk e dinin se kishin kapur pikërisht peshkun fitues të çmimit maksimal.
Pas konfirmimit të rezultatit, Maurice u bë personi i dytë që fiton çmimin e madh në historinë 12-vjeçare të konkursit, sipas Gazetës Shqip.
Ai tregoi se kishte dalë për të kaluar kohë me të vëllanë, i cili kishte ardhur për vizitë nga jashtë Australisë. Me paratë e fituara, planifikon të blejë një shtëpi, të shlyejë detyrimet financiare dhe të bëjë edhe një blerje të veçantë për veten.
Konkursi zhvillohet në Territorin Verior të Australisë dhe përfshin peshq të etiketuar me shpërblime monetare. Përveç çmimit prej 1 milion dollarësh, dhjetëra peshq të tjerë mbartin çmime prej 10 mijë dollarësh.