Elsa Lila rikthehet në Tiranë me recitalin “Na ishte një herë…”
Elsa Lila do të rikthehet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit më 7 nëntor me recitalin “Na ishte një herë…”. Koncerti do të sjellë këngë dhe kujtime nga periudha të ndryshme të muzikës shqiptare dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Vizion Plus.
E ftuar në emisionin “Takohemi n’Vizion”, këngëtarja e cilësoi këtë projekt si një rikthim të rëndësishëm në një skenë që e konsideron shtëpinë e saj artistike.
Lila u shpreh se puna me muzikën klasike dhe baroke gjatë dhjetë viteve të fundit ka ndikuar në zhvillimin e saj vokal e artistik, por edhe në aspektin personal. Sipas saj, recitali vjen në një periudhë pjekurie artistike.
Ky rikthim në Tiranë vjen tre vjet pas koncertit “Finalmente Elsa” në Pallatin e Kongreseve, ku këngëtarja risolli repertorin e saj nga viti 1996 e në vijim.