Pse gjermanët paguajnë secili për vete? Ndarja e faturës si shenjë respekti për miqësinë
Në Gjermani, pagesa vetëm për atë që ke konsumuar është një praktikë e zakonshme. Sipas ekspertëve, kjo lidhet me ndjenjën e drejtësisë dhe dëshirën për të shmangur pakënaqësitë mes miqve.
Një darkë me miq në Gjermani mund t’i habisë vizitorët kur vjen momenti i pagesës. Në vend që fatura të ndahet në pjesë të barabarta, secili i tregon kamerierit çfarë ka porositur dhe paguan pikërisht atë shumë.
Sipas një artikulli të BBC-së nga gazetarja Ute Junker, kjo mënyrë pagese është e përhapur në vend. Edhe zakoni për të blerë pije me radhë për të gjithë grupin nuk shihet domosdoshmërisht me të njëjtin entuziazëm si në vende të tjera.
Praktika vlen edhe për daljet joformale në Berlin, ku të rinjtë shpesh mblidhen jashtë dyqaneve të vogla që qëndrojnë hapur deri vonë, të njohura si Späti. Edhe kur një person blen pije për grupin, të tjerët zakonisht mbajnë mend se kush ka paguar dhe sa herë.
“Njerëzit patjetër do të numërojnë se kush ka paguar sa herë për pijet e grupit”, thotë Julian Berger, banakier në hotelin Orania Berlin, në lagjen Kreuzberg.
Studiuesi austriak i prirjeve shoqërore, Harald Pitters, i cili është i martuar me një gjermane, e lidh këtë sjellje me drejtësinë dhe nevojën për ta pasur situatën nën kontroll. Ai tregon se blerja e pijeve me radhë ka qenë shpesh temë diskutimi gjatë daljeve me dy miqtë e tij gjermanë.
“Atyre nuk u pëlqente kjo ide kur nuk dihej sa gjatë do të qëndronim dhe sa herë do të porositnim. Nëse secili paguan për vete, nuk ka vend për zhgënjim”, shpjegon ai.
Edhe Berger thekson se gjermanët ndihen më rehat kur secili mbulon shpenzimet e veta, pasi kjo shmang pabarazitë.
Në këtë këndvështrim, një faturë e qartë mund të ndihmojë në ruajtjen e miqësisë. Këtë e përmbledh edhe shprehja gjermane “Klare Rechnung, gute Freunde” — “Llogari të qarta, miq të mirë”.
Megjithatë, ka edhe përjashtime. Në jug të Gjermanisë, veçanërisht në Bavari dhe në kopshtet tradicionale të birrës, është më e zakonshme që miqtë të blejnë pije për njëri-tjetrin. Aty birra shpesh shërbehet në kriklla njëlitërshe.
Sipas Pitters, ky zakon është veçanërisht i pranishëm në festat tradicionale komunitare, të cilat po tërheqin sërish interesin e të rinjve.
“Në një festë të të korrave, ku birra është pija e zakonshme, është krejt normale të blesh pije për grupin. Do të dukeshe tepër i ngurtë nëse do të blije vetëm për vete dhe partnerin”, thotë ai.
E njëjta gjë, shton studiuesi, vlen për karnavalet në Këln apo festën e përvjetorit të portit në Hamburg, ku njerëzit mblidhen për të pirë e për të kërcyer.
Për vizitorët, këshilla e Berger është që të nisen nga ideja se secili do të paguajë për vete, përveç rasteve kur dikush thotë qartë të kundërtën.
“Nëse dikush të thotë ‘Ich lade dich ein’ — ‘Të ftoj unë’ — kjo do të thotë se do të paguajë ai”, shpjegon Berger.
Ndërkohë, kërkesa për ta ndarë faturën është krejt normale. Shpesh, vetë kamerieri pyet: “Getrennt oder zusammen?” — “Veçmas apo së bashku?”
Burimi; https://www.bbc.com/travel/article/20261030-people-will-be-counting-what-a-german-expert-wants-you-to-know-about-buying-drinks-in-germany
Fto: Freepik,com