Mund ta shohim depresionin si diçka që prek një grup të veçantë njerëzish, sikur në njërën anë të jenë njerëzit që ndihen mirë dhe në tjetrën ata që nuk ndihen mirë. Por në të vërtetë nuk është kështu. Përvoja të vuajtjes psikologjike, si ankthi kronik dhe depresioni, janë pjesë e përvojës njerëzore. Ato mund të prekin këdo, në çdo kohë.
Në fakt, edhe unë jam përballur me të dyja gjatë jetës sime. Depresioni ishte një re e errët që më qëndroi mbi kokë për një pjesë të madhe të të tridhjetave dhe të dyzetave të mia. E kam përjetuar vetë, ndaj e di shumë mirë sa tmerrësisht mund të të bëjë të ndihesh, si ua heq ngjyrat ditëve të tua dhe të lë me ndjesinë se gjithçka të rëndon, pa energji dhe pa shpresë se gjërat do të përmirësohen ndonjëherë.
Nëse po jeton nën këtë re të errët, më vjen sinqerisht keq. Është shumë e vështirë t’i shtysh ditët me zor; është si të ecësh në rërë të lëvizshme. Mendimet e tua ndoshta janë të zymta dhe shumë negative, duke ta bërë të vështirë të shohësh diçka të mirë te vetja, te jeta apo tek e ardhmja jote. Në këto rrethana, humbja e shpresës është krejt e kuptueshme. Edhe unë e kam përjetuar dhe e kam ndier këtë, ndaj e kuptoj me një qartësi të dhimbshme.
Por, të lutem, kujto se ka gjithmonë shpresë, edhe nëse tani nuk e ndien dhe vetë ideja se gjërat mund të ndryshojnë apo të përmirësohen të duket e paarritshme, sikur dikush të të thoshte se mund të vrapoje lehtësisht një ultramaratonë.
Po ta them si terapist që ka ndihmuar qindra njerëz të kapërcejnë probleme që ua vështirësonin rëndë jetën, si ankthi dhe depresioni. Por edhe si dikush që jetoi me depresion për shumë e shumë vite dhe që tani nuk vuan më prej tij, përveç luhatjeve normale dhe plotësisht të menaxhueshme të humorit. Ja tri arsye për të pasur shpresë që tani.
1. Depresioni pothuajse gjithmonë kalon me kohën
Kur po përballesh me një episod depresiv, të duket sikur ai nuk do të përfundojë kurrë, sikur je në një tunel pa asnjë dritë përpara. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të mënyrës se si depresioni ndikon në mendjen tënde: e shtyn të menduarit drejt anës negative dhe të bën të përtypësh vazhdimisht gjithçka që mendon se nuk shkon me ty dhe me jetën tënde.
Këto mendime të dhimbshme, që përsëriten pa pushim, përqendrohen te çdo gjë që ke thënë apo bërë dhe që të ka shkaktuar turp ose siklet, te gabimet dhe dështimet që mendon se ke pasur. Ato zmadhojnë edhe gabimin më të vogël, duke e bërë të duket si diçka e pandreqshme që të mbush me turp.
Mund të përpiqesh gjithashtu t’i mpish mendimet dhe ndjenjat e dhimbshme përmes alkoolit, kanabisit, ushqimeve të pashëndetshme apo aktiviteteve si pornografia, videolojërat dhe shpenzimet. Edhe pse kjo është plotësisht e kuptueshme, nuk të ndihmon. Për shembull, alkooli ka efekt depresant, ndaj sa më shumë të pish për t’i mpirë ndjenjat, aq më keq mund të ndihesh ditën tjetër.
Mund të të ndihmojë të dish se, sado i rëndë të jetë episodi, depresioni pothuajse gjithmonë zbutet me kalimin e kohës. E di këtë nga përvoja personale, sepse edhe periudhat më këmbëngulëse e më të vështira të depresionit kanë kaluar.
E kam parë edhe te klientët që dukeshin të ngecur në gjendjen e tyre të rënduar emocionale, pavarësisht se çfarë provonim në terapi. Derisa, më në fund, diçka ndihmonte, ndodhte një ndryshim dhe ata fillonin të dilnin nga mjegulla.
Terapia, qëndrimi larg alkoolit dhe substancave, meditimi, aktiviteti fizik i rregullt, gjumi i mjaftueshëm dhe ushqyerja e shëndetshme ndihmojnë. Por, edhe pa këto ndryshime pozitive, shumica e episodeve depresive zakonisht zbuten me kalimin e kohës.